Klan News raporton se Alda Klosi është vënë në prangat e policisë së Tiranës mbrëmjen e kësaj të premteje. Sipas të njëjtave burime, ish-zyrtarja është arrestuar nën dyshimin e pastrimit të parave.
Kujtojmë se në shtëpinë e Klosit, sanitarja Rozeta Dobi në bashkëpunim me djalin Havier Dobi grabitën 120 mijë euro dhe sende të tjera me vlerë. Nga kontrolli në shtëpinë e Rozeta Dobit, policia gjeti po ashtu edhe një shumë prej mbi 400 mijë eurosh të tjera, të cilat Dobi tha se i përkisnin Klosit. Megjithatë kjo e fundit e ka mohuar.
Ish-zyrtarja po ashtu ka deklaruar se 120 mijë eurot e grabitura në shtëpinë e saj ishin të xhaxhait që jetonte në Amerikë.
Sipas burimeve të Klan News, Prokuroria ka kryer hetime intensive për të zbuluar origjinën e parave. Ka informacione se pastruesja Dobi është marrë në pyetje ditët e fundit nga ana e prokurorëve dhe ka pranuar se ka parë para në disa prej shtëpive ku ka kryer aktivitetin e saj si pastruese. Mbetet për t’u sqaruar roli që ka pasur Alda Klosi dhe pse është lëshuar urdhri i arrestit nga ana e prokurorisë./tvklan.al