Pas denoncimit të bërë nga emisioni “Stop” në Tv Klan, ministrja e Arsimit Besa Shahini ka pezulluar nga detyra mësuesen Bedrie Kastrati në shkollën “Bajram Curri” në Kukës.

Në një postim në Facebook, ministrja Shahini thotë se sjellje të tilla të mësuesve ndaj nxënësve janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen, teksa vlerëson edhe denoncimin e bërë nga “Stop”.

“E kam të pamundur të toleroj çdo lloj forme të dhunës ndaj nxënësve apo mësuesve brenda shkollave, qoftë kjo dhunë fizike, verbale apo psikologjike. Gjuha me të cilën mësuesja i referohet nxënëses dhe dhuna e përdorur në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri” në Kukës, nuk lë vend për justifikime. Që sot, mësuesja është pezulluar dhe ndaj saj po merren urgjentisht masa. Falenderoj emisionin Stop që e solli rastin në vëmendjen e autoriteteve”.

Emisioni “Stop” denoncoi mbrëmjen e së martës dhunën verbale të mësueses ndaj nxënësve të shkollës “Bajram Curri” në Kukës, e cila ofendonte fëmijët, por nuk mungonin as goditjet fizike.

Në fjalorin e mësuese Bedrie nuk mungojnë fjalët ‘pise’ apo ‘kuçkë’, por edhe goditjet fizike pa shkak.

/tvklan.al