Nisma “Sot unë dhe nesër ti” i vjen në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti për një vit
“Ka një mesazh për ty” arriti të bënte të lumtur dhe t’u sillte gëzim dhe buzëqeshje disa prej familjeve të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Kjo falë nismës “Sot unë dhe nesër ti”, e cila i ka ardhur në ndihmë familjes Petoku. Banesa e tyre në Thumanë u shkatërrua plotësisht dhe ata janë akomoduar në një nga dhomat e hotelit në Shëngjin.
Psikologia Denada Toçe ka vendosur t’i vijë në ndihmë familjes dhe vajzës së tyre Klevisa për një periudhë 1-vjeçare.
Denada Toçe: E dashur Klevisa, jam shumë e lumtur të them se arsyeja që kam ardhur je ti. Unë dhe familja ime në mënyrë shumë modeste do t’ju ofrojmë një ndihmë prej 4 mijë lekësh të reja në muaj për një vit rresht. Kjo është një mënyrë për t’u shprehur solidaritetin, për t’ju parë krejtësisht të barabartë sepse sot e kam radhën unë, sot e keni radhën ju, por nesër mund ta kem radhën unë dhe unë mund të jem në vështirësi dhe ndoshta ju do më ndihmoni njësoj.
Banesa e familjes Hakrama në Pezë u shpall e pabanueshme, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit. Zonja Behare është 45-vjeç, bashkëshorti i saj 60- vjeç dhe ata kanë dy fëmijë, 4 dhe 5 vjeç. Pedagogia në Fakultetin e Mjekësisë, Entela Haloci ka vendosur të ndihmojë këtë familje.
Entela Haloci: Duke qenë se familjarisht kemi dashur të jepnim kontributin tonë, ne u bëmë pjesë e një nisme, e cila konsiston në ndihmën ekonomike mujore, për secilin fëmijë në sasinë prej 4 mijë lekësh të reja, por jo vetëm kaq. Për gjithë vitin 2020 do doja t’ju mbështesja edhe në raste të tjera, qoftë në nevojat e përditshme të fëmijëve tuaj, mesa shoh çuni ka patur probleme shëndetësore, qoftë në medikamente. Do donim shumë t’ju lehtësonim sadopak periudhën e vështirë që po kaloni.
Pedagogia në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, Zhaklina Peto ka ofruar ndihmën e saj për një familje nga Perlat i Sukthit. Donaldi dhe vëllai i tij Anxhelo banojnë me gjyshen dhe tezen, por tërmeti u shkatërroi banesën ku ata jetonin. Ata tani janë strehuar në një hotel në zonën e Golemit.
Zhaklina Peto: Kam ardhur për ju të dy. Unë e dija që t’i doje mamin dhe babin, por unë jam një teta që kam dy çuna tek shtëpia që i dua shumë. Mendoj edhe për ju, t’ju dua njësoj si ata dy çunat, do kujdesem për ju. Unë do përpiqem që me një shumë të ardhurash simbolike, t’i vij në ndihmë nënës edhe tezes që ju rrini, që t’ju plotësoj ato dëshira që ju keni nevojë.
Prindërit e tij jetonin jashtë vendit dhe që në muajin Mars ata nuk e kanë parë babain e tyre. E Diela Shqiptare bëri të mundur që babai i tyre të vinte, të suprizonte dhe t’i takonte fëmijët live në studio./tvklan.al