“Udha e Shkronjave” – Meriglena vs Dali
“Kujdes Shëndetin” – Përfitimet e ecjes
“Ka një mesazh për ty ” – Një martesë e vështirë
Mendoi se do të gjente parajsën në Itali, Daniela: Kunata më kërkoi borxhin e burrit
Daniela që ka ardhur sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” jeton prej 19 vitesh në Itali. Ajo e nisi rrëfimin e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me fëmijërinë e vështirë në Kombinat ku ndanin shtëpinë me fqinjët, më pas me detyrimin për të punuar pa mundur të vazhdonte gjimnazin.
Në moshën 17-vjeçare, prindërit pranojnë ta martojnë me një djalë që jetonte në Itali. Ajo qëndroi vetëm një javë me të dhe pas njëfarë kohe, erdhi momenti që të shkonte edhe ajo në Itali. Daniela kujton sesi ia kishin përshkruar Italinë, një parajsë të vërtetë, me vila e plot shkëlqim por realiteti ishte një shuplakë.
Daniela: Shkoj në Itali, thosha do gjej parajsën.
Ardit Gjebrea: Sa kate ishte vila që të priste?
Daniela: Kur kam hipur shkallët e atij pallati, kam thënë çfarë shkallësh janë këto, të një të burgosuri? Kam hipur në ato shkallë, kam hyrë në derë dhe kam thënë ku jam këtu? Ato muret me lagështirë, të nxira, çdo gjë në atë shtëpi ishte shqiptare siç ndoshta e kemi, me tapete, me mbulesa, me perde, çdo gjë ishte shqiptare.
Ardit Gjebrea: Kush banonte në atë shtëpi?
Daniela: Unë ika te motra e burrit, kunata ime sepse do të jetoja për pak kohë. Kunata më tregon dhomën, ku do të flija në një divan që do e hapja, për 5-6 muaj që do të rrija mund të flija në një divan. Mirëpo unë pas 6 muajsh ika në Shqipëri, por ika shtatzënë.
Në Shqipëri ndenji vetëm dy javë e më pas u rikthye në Itali. As jeta bashkëshortore nuk ishte mirë pasi çifti kishte vazhdimisht konflikte. Bashkëshorti ishte i lidhur fort me familjen e së motrës dhe nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të ndërtuar një jetesë të qëndrueshme. Ndërkohë, raporti me kunatën pati tendosje që në fillim.
Daniela: Kunata më zhgënjeu pak me thënë të drejtën sepse direkt kur ndamë pjesën e lekëve që do të paguash qiranë, të gjitha sepse çdo gjë ishte gjysmë për gjysmë, mirëpo kunata më thotë që përpara 3 vjetësh burri jot dhe vëllai i saj nuk ka paguar qiranë e shtëpisë kështu që ti duhet të më japësh lekët e shtëpisë dhe unë mbeta.
Ardit Gjebrea: Po ti sa kishe shkuar.
Daniela: Unë sa kisha shkuar dhe mua babi më kishte çuar me lekë, jo pa lekë. Thashë po mua babi dhe mami më mësuan që duhet të kesh një edukatë sepse je në shtëpinë e tjetrit dhe nuk duhet të flasësh.
Ardit Gjebrea: Dhe ia dhe të gjitha lekët.
Daniela: Dhe unë i dhashë borxhin e burrit dhe më takonte qiraja e atij muaji dhe kjo gjë më zhgënjeu shumë. Ndërkohë edhe me burrin, nuk është se e mori… “s’ka gjë, ta kërkoi, çfarë duhet të bëj unë tani?” dhe aty filluan edhe konfliktet me burrin dhe unë këtë gjë e kisha shumë të vështirë se thosha është djersa e babit tim.
Daniela shton se bashkëshorti bëhej xheloz për të sepse në shtëpi hynin e dilnin shumë miq dhe e detyronte që të qëndronte mbyllur në dhomë, shpesh edhe pa ngrënë. Kur erdhi në jetë djali i tyre, ai nuk arrinte të mbante dot në duar të birin sepse reagonte nipi. Situata përfundoi pas dy vitesh kur çifti ia doli që të zhvendosej në një shtëpi tjetër.
“Nuk flas prej 11 vitesh me vjehrrën e kunatën”, Daniela s’arrin të harrojë të shkuarën
Dy vitet e para në Itali i treguan Danielës që nuk ishte parajsa që i kishin përshkruar. Pas rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty” për martesën në moshën 17-vjeçare dhe mbërritjen në Itali ku qëndroi për dy vite në shtëpinë e kunatës, ajo tregoi edhe për marrëdhëniet e vështira me të dhe burrin.
Pasi erdhi në jetë djali i tyre, çifti arriti të shpërngulej më vete por sërish kishin probleme ekonomike. Nga ana tjetër, duhet të ndihmonin edhe nënën e bashkëshortit me para. Të gjitha këto sot janë përmbyllur me raporte të ftohta që Daniela i shpjegon më hollësisht në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan
Daniela: Vitet kaluan dhe unë me kunatën, kam 9-10 vite, nuk flasim, nuk bëhemi.
Ardit Gjebrea: Nuk flisni?
Daniela: Jo, kemi krijuar që të bëjmë një lidhje që të hyjmë e të dalim ndërkohë mua më vijnë të gjitha në mendje dhe nuk arrij të eci përpara.
Ardit Gjebrea: E ke ti atë pengesën.
Daniela: E kam unë. Jo se nuk arrij t’i fal, kam falur me zemër por nuk arrij të harroj.
Ardit Gjebrea: Po vjehrrën?
Daniela: Edhe për vjehrrën, për kunatat, për kunaatin ka qenë shumë e vështirë kjo gjë dhe kemi arritur nuk flasim. Vjehrra ime ka 11 vjet që nuk e sheh burrin tim, djalin e vet për këtë gjë. Unë i kam takuar, unë jam përpjekur,unë i kam çuar fëmijët te vjehrra, kam shkuar por është e kotë që unë përpiqem kur ato fillojnë e flasin dhe unë them kur këto s’bëjnë për djalin e vet, pse do bëj unë?
Vjehrra dhe kunata u thonë vazhdimisht të tjerëve se kanë raporte shumë të afërta, edhe pse Daniela shprehet se kjo nuk është e vërtetë. Në një nga gëzimet familjare, kunata as nuk e thirri të vëllanë që të bashkohej me ta.
Daniela: Gëzimi i fundit, kunata fejon djalin dhe burrin tim e vrau shumë këtë gjë.
Ardit Gjebrea: Dhe nuk shkoi?
Daniela: Nuk e thirrën.
Ardit Gjebrea: Ah, nuk e thirrën.
Daniela: Nuk e thirrën dhe burri im e vuajti shumë sepse janë ato nipër që i ka rritur vetë.
Ardit Gjebrea: Po kur u sëmur babai yt?
Daniela: U shkund një Itali dhe një Shqipëri në shtëpinë time për të ardhur dhe për të më dhënë një ngushëllim më shumë sepse unë e vuajta shumë dhe nga njerëzit e burrit nuk pashë asnjërin sepse ndoshta nga ajo që i mbajta në shtëpi, sepse burri im nuk flet me nënën dhe mbajti vjehrrën e vjehrrin.
“Më falni që ju kam mallkuar”, e penduar vajza u kërkon ndjesë prindërve
Një pendesë e thellë e ka sjellë Danielën në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ajo ndau në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan jetën me kushte të vështira në Shqipëri dhe martesën në moshë të hershme, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Prindërit menduan se do të ishte më mirë që Daniela të martohej me një djalë që jetonte në Itali dhe të kishte një jetë të lumtur.
Gjatë rubrikës, ajo tregoi se gjërat nuk shkuan ashtu dhe u desh të përballej me shumë probleme. Me keqardhje, Daniela tha se fajësonte e mallkonte prindërit që morën atë vendim por kur babai u sëmur, ndihej fajtore. Ajo ka thirrur prindërit, Ismailin dhe Lirien për t’u kërkuar ndjesë.
Daniela: Mami, babi, jeni shumë të bukur, çifti që keni qenë gjithmonë dorë për dore. Një shembull për mua dhe për vëllain tim. Ju kërkoj falje për gënjeshtrat që kam bërë por janë gënjeshtra të bardha siç thotë zoti Ardit. Doja t’jua bëja këtë surprizë në radhë të parë për t’ju kërkuar falje sepse shumë herë kam thënë që mallkuar qofshin prindërit shqiptarë që martojnë vajzat kaq të vogla dhe në një vend pa i parë me sy dhe ju kërkoj falje për këtë gjë sepse babi ti kur u sëmure unë e përjetova shumë keq këtë gjë. Ju kërkoj falje dhe dua t’ju them faleminderit për edukatën që na keni dhënë mua dhe vëllait tim sepse falë edukatëës që ju na keni dhënë unë kam kaluar shumë sfida dhe jam sot kjo që jam këtu, një nënë e lumtur dhe një bashkëshorte e lumtur dhe një vajzë plot mall për prindërit. Sa më shumë vjen koha dhe unë aq mall ndiej për ju. Më mungoni shumë dhe ju dua shumë.
“Ka një mesazh për ty” – Një gjyshe si bota
I fshehën sëmundjen e gjyshit, Silvana: Ditën e dasmës time gjyshja vetëm kërcente
Fëmijëria e Silvanës ka kaluar mes shumë sakrificash, por nuk ka munguar kurrë dashuria. Ajo ka jetuar për shumë kohë me gjyshërit dhe ka mësuar prej tyre vlera që e shoqërojnë edhe sot. Gjyshi nuk jeton më, por me gjyshen vijon të ketë një raport shumë të ngrohtë. Nga tregimi i Silvanës për “Ka Një Mesazh Për ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, gjyshja duket një grua tepër e veçantë.
Silvana: Unë fejohem në moshën 18 vjeçe dhe burri im jeonte në Itali. Kur nisim të bëjmë ne letrat për të shkuar në Itali, fati deshi që më lidhi prapë me gjyshen. Marrim vizën në të njëjtën ditë, presim biletën në të njëjtën ditë dhe shkojmë bashkë, bëjmë edhe rrugën bashkë për në Itali. Pas një viti, kur ishte dasma ime zbulojnë që gjyshi ishte sëmurë rëndë, me tumor në mushkëri dhe si mami im, si gjyshja ato e dinin, por s’më thonë gjë mua. Gjyshja ka kërcyer gjatë gjithë dasmës, më ka ledhatuar dhe unë s’kuptoja asgjë.
Ardit Gjebrea: Dhe nuk e dha veten në asnjë moment.
Silvana: Jo, në asnjë moment. Pas pak muajsh, ai pastaj vdes. Gjatë asaj periudhe pas dasmës unë ngel edhe shtatzënë kështu që nuk mundem të kthehem. Gjëja që më vjen shumë keq, se unë nuk munda të isha afër gjyshes në këtë moment.
Në vitin 2020, kur pandemia izoloi brenda shtëpisë të gjithë botën, Silvana përjetoi edhe një ndjesi shumë të bukur pasi gjyshja që kishte ardhur për vizitë, u detyrua të qëndronte te ajo për disa muaj. Ajo do të kishte edhe ditëlindjen që Silvana u kujdes t’ia kthente në një ditë të paharrueshme.
Silvana: Pikërisht në 2020-ën ajo bën 80 vjeç por ndodh që jemi të mbyllur.
Ardit Gjebrea: Dhe si ia bëre ditëlindjen?
Silvana: Unë me kontaktet që kam të punës, arrij që të ma sjellin një tortë shumë të bukur, me një makinë qepëse sipër, me gërshërë, me pe, të gjitha të bëra, shumë e bukur, të më sjellin lulet, tullumbacet…
Ardit Gjebrea: I paska mbetur në mendje gjyshes.
Silvana: Shumë. Ajo, se unë flas shumë shpesh, gati përditë me atë në telefon, shpesh ma përmend këtë gjë.
“Fukarenjtë e dynjasë ishim, por s’mungonte dashuria”/Kujtimet e Habibes me “të bukurin e dheut”
Silvana tregoi pak në “Ka Një Mesazh Për ty” për martesën e lumtur të gjyshërve të saj dhe dashurinë që i falnin njëri-tjetrit, por detajet janë edhe më të bukura. Gjyshja e saj, Habibja, ka mbërritur në studion e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku po dhuron shumë të qeshura me natyrën e saj të gjallë por tregon pak më shumë për dashurinë që ka përjetuar me bashkëshortin.
Ardit Gjebrea: Burrin si e ke patur?
Habibe: Eh, s’e ka patur bota! Më rehat në dynja s’ka qenë siç ka qenë ai!
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Habibe: I bukuri i dheut!
Ardit Gjebrea: Shkoje mirë me të?
Habibe: Kush?
Ardit Gjebrea: Ti.
Habibe: Në jetë s’kam një kujtim nga ai që të më ketë thënë ke një fije këtu.
Ardit Gjebrea: Fare? S’keni bërë fjalë asnjëherë?
Habibe: S’kemi patur asgjë, fukarenjtë e dynjasë kemi qenë por rehatllëkun e kënaqësinë e kishim.
Ardit Gjebrea: Domethënë, mund të mungonin shumë gjëra por jo dashuria e tij.
Habibe: Asnjëherë!
Ardit Gjebrea: Si të thërriste ty?
Habibe: O bota!
“Dy herë mat”/Mbesa e surprizon sërish, reagimi i gjyshes s’duhet humbur
Gjyshërit janë ndër njerëzit më të dashur, por Silvana ruan me ta kujtimet më të ëmbla. Ajo ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” disa prej tyre, por sot e ka sjellë në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan një tjetër moment i rëndësishëm. Gjyshja, Habibja ka festuar para disa ditësh ditëlindjen e 85-të.
Gjatë pandemisë, gjyshja ndodhej në shtëpinë e Silvanës në Itali dhe ajo i organizoi një festë për 80-vjetorin. Këtë herë, pak ditë pas ditëlindjes, surpriza është ftesa në shtëpinë e programit.
“Ku-ku, ku-ku Silvana! O bota! O zemra e nënës!”, ishin fjalët e para të Habibes sapo ekrani përballë saj shfaqi imazhin e së mbesës.
Silvana: Gjyshe! Nona se nonë të thërras unë ty, shpresoj që të jesh shumë e lumtur për këtë surprizë.
Habibe: Dy herë ti!
Silvana: Dy herë unë, por kismet do të bëjmë edhe një të tretë se s’i dihet. Unë desha të të falenderoj shumë për të gjithë dashurinë që më ke dhënë, për gjithë mësimet që më ke dhënë, se unë në qoftë se kam sukses në jetë, që jam bërë një grua e mirë, një nënë e mirë, një punëtore e mirë atje te puna ime që më duan shumë më respektojnë të gjithë, është sipas meje një meritë e madhe e jotja sepse ti më ke mësuar si të sillem me njerëzit, me burrin, me vjehrrën, me të gjithë.
Habibe: Burrin mbaje fort.
Ardit Gjebrea: Burri mbahet fort! Ai është i pari!
Silvana: Ai është më i rëndësishmi!
Ardit Gjebrea: Pastaj të tjerët!
“Shihemi në Gjyq” – Apeli i nenes: më ndihmoni të marr 3 femijet!
“Vajzës time ia morën tre fëmijët!”/Trondit gjyshja: Të parit nuk i ka dhënë as gji!
Arjana është një nënë që ka thirrur në “Shihemi në Gjyq” vajzën e saj, Arbianën. Nëna është ajo që merr e para fjalën për të shpjeguar arsyen e përballjes mes tyre në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Mes thirrjesh plot dhimbje, Arjana thotë se vajza e saj ka 5 vite e martuar dhe 3 fëmijë, por sot nuk ka asnjëri prej tyre. Sipas saj, familja e dhëndrit ia ka marrë fëmijët dhe të parin nuk ka patur mundësi ta shohë që prej ditës kur lindi. Arjana i thotë së bijës se nuk e pranon në shtëpi pa vajzën e vogël që e ka rritur vetë.
Arjana: Unë kam ardhur këtu për t’i thënë vajzës time, Arbianës që ka 5 vjet e martuar, jemi marrë me gjykata, 2 vjet e gjysmë në Shkodër. Kjo është një dhimbje e madhe. Vajzës time ia kanë marrë të tre fëmijët. Të tre fëmijët! Vajza ime që ditën që e ka lindur fëmijën e parë, ajo s’i ka thënë as gji fëmijës! Që ia ka marrë gjyshja e vet! E ka mbajtur në dhomë dhe vajza ime as e ka përqafuar, as e ka puthur fëmijën e vet kurrë! Prandaj kam ardhur këtu që t’i them edhe vajzës time për gabime! Lëre që i mori fëmijën e parë, të dytin, por i ka marrë edhe të tretin! Edhe vajzën e vogël 3-vjeçare, Sarën, që Sarën e kam rritur vetë që në moshën 4-muajshe ka ardhur Sara! Zonja Eni, çfarë t’i bëj vajzës time, e lajmërova! Kjo donte t’i jepte një mundësi burrit dhe familjes që kishte krijuar, por ata nuk janë njerëz! Me mënyrën më të keqe, morën dhe shkuan e vizituan Sarën dhe thanë që është e sëmurë dhe nuk e mban dot ti vajzën!
Arbiana: Çfarë të bëj moj mami?
Arjana: Çfarë të bëj zonja Eni, çfarë të bëj? Unë nuk e dua vajzën pa Sarën në shtëpi se e kam rritur vetë!
Arbiana: Çfarë të bëj moj mami, ku të vete unë? Vetëm juve ju kam, ty dhe babin, ku të vete unë? Ato nuk më duan! Ma morën Sarën!
Arjana: Arbiana, unë të thashë që ata do të të marrin Sarën! Ata po të gënjejnë ty!
“Vjehrra s’më lejonte të ushqeja fëmijën!”, Arbiana në lot: Burri më tha që s’jam e aftë!
Arbiana ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” për t’u përballur me nënën, Arjanën që nuk e pranon në shtëpi pa vajzën e vogël. Ajo ka tre fëmijë, por nuk ka asnjërin prej tyre sepse thotë që ia ka marrë familja e bashkëshortit, e cila jeton në Shkodër. Deri më tani nuk dihet si ka ndodhur e gjithë kjo situatë ndaj ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i kërkon ta rrëfejë historinë nga fillimi. 27-vjeçarja nis të tregojë se është martuar në hyrje të vitit 2019 dhe dy muaj më vonë, ka ardhur në jetë vajza e parë.
Arbiana: Nuk bëmë as dasmë, thjesht e morëm njëri-tjetrin me shkuesi dhe pas dy muajve u bëmë me fëmijën e parë, vajzën e madhe që sot është 5 vjeçe. Linda fëmijën dhe burri ma mori dhe ia dha vjehrrës dhe vjehrrit.
Eni Çobani: Si ia dha?
Arbiana: Ia dha. Më tha mua “nuk je e aftë ti për të rritur fëmijë”. Cila nënë di të rrisë fëmijë kur bëhet për herë të parë? Cila? Asnjë nuk di.
Eni Çobani: Patjetër.
Arbiana: Po. Më tha “do të të ndihmojë vjehrra për t’u kujdesur për fëmijën”. E merrja fëmijën për ta ushqyer me gji dhe vjehrra nuk më lejonte. As burri jo! “S’ke gji” më thoshte, unë kisha gji. Më fal për shprehjen, më kullonte qumështi.
Koha vetëm e përkeqësoi situatën. Historia me vajzën u përsërit edhe me ardhjen e djalit në jetë ku sërish Arbiana u pengua që të kujdesej për të birin.
Arbiana: Mua më lindi djali me problem dhe më tha doktoresha “ka nevojë djali të pijë sa më shumë gji që të shërohet” dhe nuk e lejuan këtë gjë! I dhanë fëmijës qumësht kutie! Si të parës, edhe të dytit.
Eni Çobani: Cili ishte pretendimi pra, thanë që gjiri ishte i infektuar apo jo?
Arbiana: Thanë që qumështi ishte i helmuar, po.
Historia e përsëritur: Vjehërrit ia merrnin fëmijën, ajo lindte tjetrin/Arbiana: Punët e Zotit…
Situata e Arbianës ka ngritur shumë pikëpyetje në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. 27-vjeçarja është martuar me shkuesi në vitin 2019 në Shkodër dhe nga kjo martesë ka 3 fëmijë, dy vajza e një djalë. Fëmijët janë të mitur, 3-5 vjeç dhe pranë saj sot nuk ndodhet asnjëri.
Arbiana dhe nëna e saj, Arjana e cila e ka thirrur në studio, kanë thënë deri në këtë moment se vjehërria dhe bashkëshorti nuk e kanë lejuar të kujdeset për fëmijët. Ata e kanë ndaluar t’u japë gji dhe ia kanë marrë përmes kërcënimeve.
Përsëritja e historisë tri herë rishtazi është pikëpyetja më e madhe në këtë histori. Arbiana thotë se është rikthyer në atë shtëpi për hatër të fëmijëve, por çdo herë që ka ndodhur kjo, ka mbetur shtatzënë.
Ardit Gjebrea: Ti e linde fëmijën e parë, e pe se çfarë ndodhte në atë familje, edhe të dytin, edhe të tretin bëre që të kishin fatin e të parit. Tani, pse ti dhe prindërit lejuat këtë gjë?
Arjana: Më fal zoti Ardit, ti ke shumë të drejtë të thuash, por ne çdo gjë kemi bërë për këtë vajzë. E mori vesh burri që këta e trajtonin keq dhe bëri denoncim në polici dhe vajti policia atje, por vajzën ma kishte kërcënuar i shoqi.
Arbiana: Po, e vërtetë. Më ka detyruar burri që të deklaroj e të them që nuk kam gjë, as me burrin, as me vjehërrinë se përndryshe “vajzën s’e shikon më me sy” më tha dhe “dhuna do të vazhdojë te ty po the ndonjë gjë kundër meje”.
Ardit Gjebrea: Arbiana, pse bëre fëmijë tjetër, pyetja ime? Se një njeri që kërcënohet, që nuk sheh fëmijën etj, nuk bën edhe dy fëmijë të tjerë. Ata si i bëre?
Arbiana: Ato Ardit mund të them se janë punët e Zotit, e ke parasysh? Se ne mendonim të bëheshim me një fëmijë, me dy, ama jo në këtë formë,e ke parasysh?
Ardit Gjebrea: E di, unë jam dakord me ty që thua që janë punët e Zotit sepse çdo gjë e bën Zoti, por ti vetë, e kupton, nuk pate në një moment fuqinë që t’i thoshe okej, ti po më kërcënon, unë do të rri por mos të bëj edhe dy fëmijë të tjerë se ti po vuan, ti nuk po i shikon ata apo jo?
Arbiana: Po, ashtu është.
Arjana: Zoti Ardit, më fal, por vajza ime donte të ndahej nga ai por ai i mbante fëmijën peng dhe për hatër të fëmijëve u kthye prapë atje.
Ardit Gjebrea: Të kuptova, më fal, atëherë keni ndërmend të bëni edhe të katërtin?
Arbiana: Jo.
Ardit Gjebrea: Këtë jo pse nuk ma thua që kur linde të parin dhe tek i dyti të kishe thënë jo? Kjo është pyetja ime. Mirë ndodhi edhe me të dytin, dakord, por të tretin pse?
Eni Çobani: Pra janë bërë shumë shpejt fëmijët Arbiana dhe kjo është çudia e të gjithëve ne.
Arjana: Fëmijët i ka në krye të vitit se ai mbante peng fëmijën tjetër edhe kjo kthehej për hatër të fëmijës në atë shtëpi. Kjo është e vërteta.
Eni Çobani: Ka ngelur shtatzënë shumë shpesh pra.
Arjana: Në krye të vitit pra se s’i ka lënë as për t’i dhënë gji fëmijëve, as të parit, as të dytit. Helbete,se gruaja kur s’i jep gji fëmijës, ngelet shtatzënë. Është diçka e vërtetë.
Eni Çobani shpjegon se është e mundur që gruaja të mbetet shtatzënë nëse ndërpret gjidhënien, teksa Arbiana shton se “sigurisht, janë edhe punët e Zotit”.
“Ajo është e mbaruar!”, vjehrri flet rëndë për nusen/ Çobani s’u beson veshëve, i kthehet keqazi
Nazir Selimi, vjehrri i Arbianës iu bashkua rubrikës së “Shihemi në Gjyq” përmes një telefonate gjatë transmetimit. Deri më tani, Arbiana dhe Arjana, nënë e bijë që janë të pranishme në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kanë thënë se familja Selimi ka marrë tre fëmijët e mitur përmes kërcënimeve.
Gjatë lidhjes telefonike, Naziri thotë se Arbiana i ka lënë fëmijët sepse nuk ka mundësi të kujdeset për ta. Ai i përshkallëzon deklaratat duke u shprehur se “është e mbaruar”, çka ndez një debat të nxehtë me ndërmjetësen Eni Çobani.
Nazir: Ajo s’mund ta mbajë se është e mbaruar, kupton?
Eni Çobani: Kush është e mbaruar more?
Nazir: Ja ajo.
Eni Çobani: Po nuk të vjen rëndë ty që flet kështu në këtë formë?
Nazir: Jo, jo.
Eni Çobani: Po kush je ti që flet për nusen e djalit është e mbaruar? Ç’është kjo gjuhë more? Gjyshërit të flasin në këtë formë!
Nazir: Arbiana e ka shkruar vetë!
Eni Çobani: Ku e ka shkruar? Edhe vajza ta shkruajë vetë, ti je baba, ti je gjysh, ti s’mund të thuash ajo është e mbaruar, ti nuk mund ta thuash këtë fjalë! Ty duhet të të vijë rëndë që i thua një vajze 27 vjeç është e mbaruar! Është e mbaruar o zotëri se ta rrahësh, të mos i japësh bukë, të peshojë kjo 1.80 e gjatë, peshon 50 kile, patjetër që kjo është e mbaruar! Patjetër o zotëri! Prandaj po të them edhe njëherë, dorëzo vajzën e tretë! E ke me ligj që do ta mbajë Arbiana, për dy fëmijët e tjerë do të hapësh zgjidhje martese dhe kush ta vendosë gjykata, do të mbajë fëmijët. T’ju vijë rëndë që flisni dhe komunikoni publikisht në këtë formë, prandaj ndahen fëmijët se kanë prindër si ju!
Çobani e bën familjen përgjegjëse për gjendjen e traumatizuar të 27-vjeçares ndërsa u kujton se janë të dënuar penalisht sipas vendimit të gjyqtari Sokol Shehu. Ndërsa ajo vijon duke i përmendur Nazirit çfarë shkruhet në vendim, ai mbyll telefonin dhe Çobani bën një thirrje të fortë.
Eni Çobani: Kjo nuk është më Shqipëria që duam ne! Shqipëria që duam ne është të respektojë vendimin e Sokol Shehut, vendimet e gjykatave shqiptare që fëmijët të shkojnë te nëna, t’i lejojë gjyshja dhe gjyshi të rriten fëmijët e qetë. Çfarë është kjo ndërhyrje e gjyshërve deri në këtë formë? Si mundet? Lejoni fëmijët të prindërojnë. Nëse nuk arrijnë dot të prindërojnë, këto gjëra i ndan ligji dhe gjykata.
“1.80 e gjatë dhe 50 kg”, Çobani shpjegon gjendjen e 27-vjeçares: Post-partumi ka lënë një traumë
Pas përfundimit të telefonatës me Nazirin, vjehrrin e Arbianës ku ky i fundit tha për nusen se “është e mbaruar”, Eni Çobani sqaroi gjendjen e 27-vjeçares. Edhe gjatë telefonatës që u zhvillua në rubrikën “Shihemi në Gjyq”, ndërmjetësja e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan përmendi përcaktimin e mjekëve për gjendjen e Arbianës.
Çobani shpjegon se për shkak të marrjes së dy fëmijëve nga vjehrrit duke mos lejuar Arbianën që të kujdeset e t’i ushqejë dhe më pas, marrjes së vajzës së tretë kur ishte 3 vjeçe, 27-vjeçarja ka kaluar një traumë të rëndë psikologjike.
Eni Çobani: Doktorët që përmenda unë kanë thënë që kjo vajza ka kaluar një post-partum shumë të rëndë që ka lënë një traumë psikologjike. Mosdhënia e gjirit fëmijëve të dy të parëve ka qenë shumë e rëndë dhe e ka çuar këtë vajzë në depresion të thellë por jo të shkaktuar për shkaqet që do Naziri, por për shkakun që nëna nuk është lënë t’i japë gji fëmijës, që nëna nuk është lejuar të mbajë fëmijët në krahë, që është mbyllur gjyshja me fëmijën në dhomën e saj dhe këtë vajzën e nxirrte nga dhoma dhe i thoshte nuk je në gjendje ti të rrisësh fëmijë dhe ndërkohë kjo vajza vazhdonte dhe bënte fëmijë.
Ardit Gjebrea: Nëse ata konstatuan që kjo vajzë është me këto probleme, përse duhet ta përdornin për të lindur fëmijë se kjo është ta përdorësh tjetrin. Në momentin që ti kupton që kjo vajzë ka probleme, atëherë si vazhdon? Nuk di çfarë fjale të gjej se nuk dua të them ato që më vijnë në mendje.
Eni Çobani: Po, shumë të rëndë, edhe psikologjike kjo vajza, edhe fizike. Po ta shikosh mirë Arbianën, Arbiana sot bashkë me rrobat në trup mund të peshojë deri në 50 kg dhe është 1.80 e gjatë, është e paushqyer dhe po kalon një traumë shumë të madhe psikologjike. Kjo nuk duhet shfrytëzuar nga këta njerëz, por në qoftë se kjo ka nevojë për ndihmë, duhet çuar, duhet mjekuar, duhet dhënë ajo ndihmë me një psikolog që dhe kjo vajzë të rikthehet në gjendjen e shëndetshme dhe të rrisë tre fëmijët e saj.
“Të Panjohurit” – Malvin Pjetri
/tvklan.al