#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #arditgjebrea #lunamethasani #defrimmethasani #kancer #29vjec#beteje #vajza #djale#malok

“Flokët e para pas kimioterapisë”, rikthimi i Luna Methasanit pas sëmundjes!

Historinë e Lunës, vajzës së madhe të gazetarit sportiv Dëfrim Methasani e njohim tashmë të gjithë. Lajmi se ajo po luftonte me sëmundjen e kancerit ishte prekës për këdo, por Luna ia doli që të triumfonte. Gëzimi sot është i shumëfishtë pasi Luna është rikthyer edhe më e fortë, me një buzëqeshje rrëzëllitëse në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Mes duartrokitjeve, ajo bën me dije për “Ka Një Mesazh Për Ty” se gëzon shëndet të plotë dhe kimioterapia u ka lënë vendin flokëve të parë të rinj.


Luna Methasani: Qenka shumë bukur dhe shumë emocion të jesh këtu përballë teje dhe publikut të  mrekullueshëm!

Ardit Gjebrea: Njëherë lavdi Zotit je mirë!

Luna Methasani: Po, falë Zotit! Edhe mjekëve natyrisht, duarartë. Ka disa muaj që i jam rikthyer jetës normale, gëzoj shëndet të plotë, analizat e para kanë dalë mirë dhe këto janë flokët e para pas kimioterapisë.

Ardit Gjebrea: T’i gëzosh! “Shumë e bukur”, thotë publiku, je shumë e bukur!

Luna Methasani ndan ngjarje të parrëfyera të jetës së të atit: Nga paragjykimet për prejardhjen te punët larg profesionit si gazetar

Luna Methasani është vajza që tashmë e njohim si një luftëtare të pamposhtur. Vajza e gazetarit Dëfrim Methasani arriti të fitonte mbi kancerin, një lajm i gëzuar për të gjithë. Por Luna nuk ka ardhur për vete në “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Motivi i saj është i ati ndaj të cilit ka ndier gjithnjë përgjegjësinë që duke qenë vajza e madhe, të trashëgonte diçka prej tij, në këtë rast pasionin për sportin. Kur Luna ishte vetëm 3-muajshe, prindërit u transferuan nga Peshkopia në Tiranë dhe jetesa nuk ishte aq e lehtë.

Nga historitë që ajo ka dëgjuar dhe i ndan për herë të parë me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ardhja në Tiranë e përballi Dëfrim Methasanin me paragjykime për prejardhjen, me kushte të vështira ekonomike dhe marrjen e punëve të tjera që s’lidheshin me profesionin e tij vetëm e vetëm për t’i siguruar familjes gjithçka që i duhej.


Luna Methasani: Im atë kur ka nisur fillimet e tij në Radio Televizionin Shqiptar, shpeshherë edhe është bullizuar, është quajtur si “malok”, “erdhi ky maloku nga veriu të na zërë vendin këtu”. Madje më ka treguar që kronikat e para i ka shkruar në trotuarin përballë Radio Televizionit Shqiptar sepse nuk e mendonin, jo për aftësinë e tij profesionale, por vetëm për faktin që vinte nga veriu, nuk e mendonin të denjë mjaftueshëm për të qenë aty dhe për të konkurruar me emra të njohur të televizionit.

Ardit Gjebrea: E di si është puna? Unë mendoj që aftësitë e dikujt duken që në momentin e parë për ata që kuptojnë kështu që babi yt duke qenë një super gazetar, nuk do të duhej kohë dhe kështu që të gjithë ata që kishin probleme le të themi me prejardhjen e tij, kam përshtypjen që problemet ishin në mendësinë e tyre sepse babi ne e dimë se kush është babi yt.

Luna Methasani: Po, falë punës së tij të jashtëzakonshme në fakt i ka bërë vendin vetes kudo dhe ai është shumë modest, Ardit.

Ardit Gjebrea: Ku keni banuar ju kur erdhët në Tiranë?

Luna Methasani: Në fakt nuk jemi transferuar direkt në Tiranë, por në një fshat të Tiranës, në Pezë ku për kushtet ekonomike që ishin atëherë dhe për faktin që prindërit bashkë me gjyshërit, por edhe hallën me xhaxhain të cilët nuk ishin martuar në atë kohë, transferohen aty për shkak të kushteve ekonomike. Ishte shumë e vështirë dhe babi detyrohej ta bënte rrugën nga Peza për në Radio Televizionin Shqiptar me biçikletë.

Ardit Gjebrea: Çdo ditë?

Luna Methasani: Çdo ditë. Ajo që më dhemb më shumë për babin është fakti që është detyruar të punojë 2-3 punë të ndryshme. Pra krahas emrit shumë të madh që mund të bëjë si një gazetar, pavarësisht se në fillimet e tij do të ruajë atë figurën e tij të gazetarit, ai nuk ka ngurruar asnjëherë të bëjë edhe punë të thjeshtë. Ka punuar edhe roje natën, ka punuar edhe kameraman nëpër dasma vetëm për të mundësuar të gjitha kushtet ekonomike për familjen.

“Nuk ishte e shkruar të kishim vëlla”, Luna rrëfen historinë e dhimbshme: Të dyja herët që kishte djalë, mami e humbi beben

Dëfrim Methasani, gazetari i njohur sportiv është baba i 3 vajzave: Lunës, Blertës dhe Rinës. Vajza e tij e madhe, Luna, historinë e së cilës e njohim, ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të folur jo rreth vetes, por për të atin.

Pas vështirësive të fillimit në profesionin e tij që Luna i rrëfeu për herë të parë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo kaloi edhe në aspektin familjar. Shumë shpesh vajzat kanë dëgjuar njerëzit të shprehin keqardhje që Dëfrimi nuk ka një djalë dhe mendonin se duhej patjetër të kishin një vëlla.

Prindërit vendosin që ta provojnë dhe shtatzënia e shumëpritur ndodh, por njëkohësisht edhe dy fatkeqësi njëra pas tjetrës. Motra e gazetarit ndërron jetë në moshën 29-vjeçare nga kanceri dhe një muaj më pas, edhe fëmija shuhet në barkun e nënës.


Luna Methasani:Tentuan sërish prindërit, në vitin ’99 për të bërë një djalë. Kësaj here goditën në shenjë por kur mami ishte 4-5 muajshe shtatzënë, fëmija nuk jeton më që në barkun e nënës dhe një muaj para se të ndodhte aborti, babi humbi motrën e tij në moshën 29-vjeçare nga kanceri. Ishte një humbje e jashtëzakonshme për të gjithë familjen, për gjyshërit, për të gjithë ata që e njohën, aq më tepër një vajzë në lule të moshës vetëm 3 muaj e martuar. Por Ardit, Zoti me një dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Në vitin 2000, pikërisht pas një viti, mami ngel sërish shtatzënë por këtë herë me vajzë. Motrën e tretë e donim, e donin aq shumë saqë preferuan që t’i linin emrin e hallës që nuk jetonte më.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Luna Methasani: Po, që ajo të ishte një kujtim  i gjallë në mesin tonë. Kështu e thërrisnim Rina dhe sot e kësaj dite Rina jeton shumë mirë dhe do të martohet në qershor.

Për shkak të shpërnguljes kur Luna ishte e vogël dhe përkushtimit ndaj familjes, nëna e saj nuk i kishte kryer studimet e larta. Afër moshës 40-vjeçare, Ajo vijon studimet dhe diplomohet si infermiere, profesion që e ushtron ende në një poliklinikë në Tiranë. Ndërkohë vajzat kishin ende shpresa që të bëheshin me vëlla, ndaj Dëfrimi dhe bashkëshortja tentojnë sërish, por tragjedia përsëritet.

Luna Methasani: Ne nuk i shuajtëm kurrë shpresat që mund të kishim një vëlla dhe kështu prindërit… iu mbush mendja edhe nga farefisi që “ti Dëfrim je ende i ri, mund të kesh një djalë, mund të kesh një trashëgimtar mbi të gjitha”. Provuan, qëlluan në shenjë, sërish djalë, ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm, nuk e di, duhet të prisnim 3 muaj që të konfirmonim gjininë fillimisht por fiks një muaj pasi ne e morëm lajmin që ishte djalë, pa asnjë shenjë, pa asnjë simptomë, mjeku pritet në fytyrë kur shikon bebin në eko dhe thotë që “fatkeqësisht, rrahjet e zemrës së tij kanë ndaluar”. Nuk ishte e shkruar që të kishim një vëlla por sigurisht që babi, absolutisht, pavarësisht mendimeve apo lutjeve të farefisit apo çfarëdolloj gjëje që mund t’i thoshin njerëzit, e thoshte gjithmonë këtë shprehje: “Jo se nuk e kam dashur një djalë, por me vajzat që kam nuk e kam ndier kurrë mungesën e tij”.

Lufta me kancerin në moshën 29-vjeçare, momenti i vështirë i Luna Methasanit: U fshija lotët prindërve

Historia e humbjes së hallës në moshën 29-vjeçare nga kanceri dhe më pas vetë sëmundja e saj vitin e shkuar, i ka mësuar Luna Methasanit rëndësinë esenciale të shëndetit. Vajza e madhe e gazetarit Dëfrim Methasani u përball gjatë vitit të shkuar me kancerin, një luftë që tashmë e ka fituar.

Gjatë rrëfimit të saj për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Luna e kujton mirë momentin e vështirë të diagnostikimit. Mjekët ia bënë me dije fare thatë se gjendja ishte kritike, por për të ishte edhe më e vështirë që t’u jepte kurajë prindërve.


Luna Methasani: Siç e përmenda, prindërit dhe gjyshërit e kanë humbur një vajzë në moshën 29 vjeçe e unë isha pikërisht 29 kur u diagnostikova. Kur kam pyetur mjekun, më ka thënë që “nuk është gjenetike dhe pak rëndësi ka nëse është gjenetike apo jo, ky ishte fati yt”.

Ardit Gjebrea: Ta treguan mjekët?

Luna Methasani: Po, ma treguan dhe isha përballë mjekut, në dhomë me të, me të dy prindërit dhe ma tha direkt në fytyrë: “Më vjen shumë keq, por ti je diagnostikuar me kancer. Duhet urgjent të fillojmë kimioterapinë, por para kësaj duhet të bëjmë një operacion”. Më shumë sesa vetja Ardit, më beso, më dhimbseshin prindërit e mi, më dhimbseshin gjyshërit dhe unë nuk kisha kurrsesi zgjidhje tjetër përveçse të vazhdoja të isha shumë e fortë sepse pse jo, mund t’ia dilja dhe siç e shihni jam këtu, ia dola.

Luna shton se kjo sëmundje lidhet fort me anën psikologjike të njeriut. Mjekët nuk garantojnë kurrë për shanset e mbijetesës, pasi forca psikologjike dhe vendosmëria luajnë një rol thelbësor në luftën ndaj saj.

Luna Methasani: Njeriu bëhet i fortë.

Ardit Gjebrea: Ku e gjen?

Luna Methasani: Brenda vetes. Ndala për një çast dhe mendova “çfarë zgjidhjeje kam unë tani?” Në momentin që na tha mjeku, mamaja ime lëvizi nga dhoma e mjekut duke qarë. M’u dhimbs në shpirt. Babi nuk mund të fliste nga lotët, nuk mund të reagonte, po qante me ngashërim. Besoj që momenti më i vështirë ai kur u kam fshirë lotët dhe u kam dhënë kurajë kur unë sapo e kisha marrë vesh, nuk kishte kaluar as një minutë nga momenti që unë e kisha marrë vesh që isha sëmurë dhe u thashë “ju mos u mërzisni, keni lindur një luftëtare të fortë dhe unë do t’ia dal. Ka plot raste që ia kanë dalë”. Prandaj doja që të jepja një mesazh force për të gjithë ata që ndoshta përballen apo larg qoftë mund të jenë në një situatë të tillë, ka gjithmonë dritë në fund të tunelit, ka gjithmonë shpresë sepse njeriu është shumë i fortë.

Ardit Gjebrea: Dua të vij të të përqafoj!

Gjebrea niset me vrap drejt Lunës për ta përqafuar. Pas këtij momenti emocionues, ajo ndan edhe episodin e rënies së flokëve nga kimioterapia që fatmirësisht tashmë gjithçka ka kaluar dhe flokët po rikthehen.

Luna Methasani: Edhe për ta përfunduar, momenti shumë i vështirë psikologjik ishte kur të binin flokët. Aty pashë në pasqyrë një Luna që nuk e njihja, por i thashë vetes “ej Luna, ti je një version tjetër i imi me të cilin unë duhet të mësohem dhe që do të jesh forca ime për të vazhduar përpara”.

“I kërkova babit privatësi”, Luna Methasani flet e prekur për rrjedhjen e lajmit të sëmundjes

Historia e Lunës për diagnostikimin me kancer u bë publike si pasojë e rrjedhjes së lajmit. Vajza e gazetarit Dëfrim Methasani shprehet në “Ka Një Mesazh Për Ty” se dëshira e saj ka qenë gjithnjë që historia të mbetej private.

Luna pranon me dhimbje në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se e ndien që kjo e ka rënduar së tepërmi të atin pasi nuk mund të kërkonte ndihmën që i duhej për të bijën. Veç kësaj, Luna tregon edhe trishtimin që ndjeu kur ndërkohë që përballej m sëmundjen, lexonte edhe komente të shumta që e lëndonin.


Luna Methasani:Lajmi rrodhi pa dashur, pa dëshirën time. I kisha kërkuar babit që të qëndrojmë privatë, mirëpo e ndiej që e kam lënduar shumë kur ia kam kërkuar këtë gjë sepse për shqiptarët e thjeshtë, përfshirë edhe familjen tonë, me rroga shteti është shumë e vështirë që të përballohen shpenzimet me shumë shifra, me shumë zero nga pas. Trajtimet mjekësore janë shumë të shtrenjta fatkeqësisht për këtë lloj sëmundjeje, ndaj përveç dhimbjes së madhe që kishte për një fëmijë të sëmurë, tim ati i duhej që të gjente forcën dhe mundësinë ekonomike për të përballuar këto shpenzime dhe nëse nuk do të dilte publikisht, e bënte akoma më të vështirë këtë gjënë. Sigurisht, miqtë e shumtë dhe emri i mirë që ka lënë kudo, e ndihmuan. Ndihmuan shumë familjarë,  farefisi, daja, halla dhe na u gjendën pranë në këto momente të vështira, por lajmi rrodhi. U preka shumë kur isha në spital dhe lexova komente të tipit “mirë, kjo është vajza e gazetarit, por për vajzat e një njeriu të thjeshtë kush do të mendojë?”

Ardit Gjebrea: Janë gjithmonë këto komente.

Luna Methasani: Sigurisht, por ia thashë për një arsye babit tim që të qëndrojmë në privatësinë tonë Ardit sepse fatkeqësisht ka shumë raste. Njerëz të shumtë që vuajnë, fëmijë edhe më të vegjël se unë, njerëz me probleme ekonomke, ndoshta edhe në ndihmë sociale dhe nuk kanë mundësi për të përballuar trajtime të tilla, kështu që ato para që mbase do duhej të shkonin për mua nëpërmjet një GoFund Me apo një thirrje publike, një aplikimi që mund të bëhej në ministri për fonde të shtetit, mendoja që mbase mund të shkojnë për një rast që vuan akoma më shumë apo që është më i vogël se unë. Prandaj dua ta ftoj sot që t’i kërkoj falje që mbase e kam rënduar pak gjatë këtij viti, por edhe ta falenderoj publikisht. Vajza dhe babi janë shokë të pandashëm, është shoku i parë, dashuria e parë dhe ashtu do të vazhdojë të mbetet gjithmonë.

“E ndiej që të kam rënduar”, mesazhi i ndjerë i Lunës për Dëfrim Methasanin

Me shumë lot dhe emocione ishte momenti i parë i ‘takimit’ babë e bijë përmes ekranit të “Ka Një Mesazh Për Ty”. Luna, vajza e gazetarit Dëfrim Methasani rrëfeu shumë episode të jetës së tij profesionale e familjare në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan si dhe sëmundjen e saj.

Viti i fundit ka qenë shumë sfidues për familjen e tyre pas diagnostikimit të Lunës me kancer, por fatmirësisht gjithçka ka kaluar. Luna u shpreh se i ka kërkuar të atit që gjithçka të mbetej diskrete, edhe pse më pas lajmi rrodhi. Megjithatë, ajo e ka ndier peshën e kësaj kërkese dhe sot ka një falenderim e mirënjohje të tejskashme që dëshiron t’ia përcjellë të atit.


Luna Methasani: Hej babito! Po kush më shumë sesa ti meriton një mirënjohje dhe një falenderim publik për gjithçka që ti ke bërë jo vetëm për mua, për familjen, për miqtë, për shokët, për fisin, për të gjithë ata që të njohën e të deshën, për të gjithë ata njerëz në nevojë që ti i ke ndihmuar? Se ti e ke zemrën shumë të madhe, shumë të bardhë dhe unë jam shumë e lumtur dhe krenare që jam edukuar me këtë frymë nga ti, patjetër edhe nga mami. E ndiej që vitin e kaluar të kam rënduar paksa sepse krahas dhimbjes së madhe që ndieje për evlatin tënd të sëmurë, kishe edhe përgjegjësinë e mbulimit të kostove shum të larta, me shumë zero nga prapa dhe ti i vetëm nuk do mund t’ia dilje nëse nuk do ishe ky Dëfrimi që je sot, me kaq shumë miq dhe që ke bërë kaq shumë për njerëzit e që po këto miq kaq të mirë, ky farefis kaq i madh që ti je ajo ura e komunikimit, që ti ke bërë kaq shumë për ta e ata nuk të lanë në baltë as këtë herë.

Kështu që dua të të them sot faleminderit që ekziston se je shoku im më i mirë, je energjia dhe forca që të gjithë ne, sidomos familja kemi nevojë të të kemi… falë teje, falë Zotit dhe falë mjekëve unë jam këtu sot, e ulur përballë teje duke të thënë që të dua pafund. Madje tani që je bërë gjysh je bërë edhe shumë argëtues, di të tregosh histori shumë të bukura imagjinare me Matiasin dhe Ninës sepse të paktën me ta po mbush atë kohën që për shkak të të gjithë angazhimeve të tua të shumta dhe sakrificave të mëdha që ke bërë në jetë nuk ke mundur të na mbash në krahë se na lije në gjumë e na gjeje në gjumë, por ja ku jemi sot se na ke edukuar të jemi njerëz të mirë, njerëz të besës, njerëz mirënjohës dhe mirënjohja më e madhe shkon për ty sot. Të paça sa malet dhe të dua shumë!

/tvklan.al