#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

#ingridpulizo #pianiste #valbona #enderr #biologjik #nene #adoptim #biresim #lot #hidherim #gezim #mirenjohje

Humbi prindërit brenda dy vitesh, Ingrid kujton sinjalin e së vërtetës: Shoqes i doli padashur…

Ingrid është pianiste në TKOB, por ndër simfonitë që mund të ketë luajtur, ajo e jetës së saj është më e fuqishmja. Ajo nis të shfletojë partiturën ende të papërfunduar me rrëfimin e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ku akordet e para janë të buta, me rritjen në një familje që i dha shumë dashuri, ngrohtësi e gjithçka mund të dëshirojë një fëmijë.

Më pas, notat e rrëfimit prodhojnë tinguj dhimbjeje teksa tregon humbjen e të  dy prindërve brenda dy viteve dhe përjetimin e të ndierit vetëm. Pak ditë më pas, tregon Ingridi për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, mësoi se jeta që kishte njohur deri në atë moment, fshihte një sekret të madh.

Ingrid: Në kufi të dy vjetëve, nga një vit e gjysmë, i pari më humb jetën babai, pastaj nëna. Kuptohet në luftë me sëmundjet, me moshën, babai… sa po e merrja veten nga humbja e babait, më ndodhi e nënës. Aty realisht kuptova sa jetime mbeta, në sensin kushdo, prindi të lë jetim në çdo moshë, por atë mëngjes që u zgjova pa zërin e mamit, pa shikimin e saj, pa… e kuptueshme nga të gjithë besoj se sa e varfër është bota pa dashurinë e nënës domethënë. Përtej kësaj, nuk e dija që isha pjesë e një historie më të madhe se kjo. Një sinjal të parë, vetëm dy javë pas humbjes së nënës, diku nga 15-16 nëntori, një shoqe imja ma jep si sinjal të parë, mes lotëve, i doli padashur, pa qëllim të keq.”Të kanë dashur shumë, je fëmijë i birësuar”. Për momentin, kuptohet mosbesimi sepse jo se nuk ishte frazë e dëgjuar ndonjëherë, për arsye se duke qenë fëmijë i vetëm, në periudha…. edhe sot e kësaj dite ekziston gjithmonë ai lloj dyshimi, isha mësuar me atë frazë. Gjithmonë kam qenë shumë e përkëdhelur nga prindërit në sensin e mirë të  fjalës duke e menduar veten si fëmijë dëshire.

“Lulja e Pranverës”/Rastësia e pashoqe: Nëna biologjike dhe babai birësues, të lindur në të njëjtën ditë

Brenda dy viteve, Ingrid ka pësuar humbjen e njëpasnjëshme, të fortë e me dhimbje çjerrëse të prindërve të saj. E mbytur nga emocionet në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo e ka të vështirë të flasë për ta sepse dhimbja është ende shumë e freskët, ashtu si e vërteta që i erdhi në një ditë nëntori. E ëma sapo kishte ndërruar jetë kur një mikeshë i tregoi se prindërit që e kishin rritur e dashur aq shumë, s’ishin ata biologjikë.

Për vite me radhë, miqtë e familjes ishin betuar ta ruanin sekretin, por e vërteta ruhej edhe në dokumentet e trashëgimisë ku emri i Ingridit nuk rezultonte në ndonjë certifikatë. Kësaj prove i bashkëngjitet edhe një kujtim i Ingridit, një frazë e të atit që nuk ia kishte kuptuar dot peshën deri në momentin që mësoi të vërtetën.

Ingrid: Jemi të dy me babain të  majit. Gjithmonë bënte shaka kur vinte ditëlindja, se e kemi me 7-8 ditë diferencë, unë jam e 4 majit, babi i 13 majit. Ne jemi lulet e pranverës i thosha unë, por ai më thoshte “ti je lulja e Pranverës”. Nëna ime gjenetike quhet Pranvera.

Ardit Gjebrea: Uau!

Ingrid: Po, është koincidencë. Të lindur të dy në të njëjtën ditë. Edhe mamaja, Pranvera është e 13 majit.

Ardit Gjebrea: Me babain tënd?

Ingrid: Me babain tim.

Ardit Gjebrea: Ai e dinte emrin e nënës tënde?

Ingrid: Sigurisht, birësimi është bërë në mënyrë…

Ardit Gjebrea: Prandaj ai të thoshte “ti je lulja e Pranverës”.

Ingrid: Po, por të tëra këto janë perceptime të mëpasme. Është një proces i dhimbshëm sa nuk di. Sot e kuptoj pse më thoshte “ti je lulja e Pranverës”. Mamaja ime quhet Pranvera Tola, lindur në Tiranë. Në moshën 20-vjeçare më lind mua dhe ndërron jetë në ’77-ën, në janar. Mbase mund të jem edhe unë arsyeja, të lindje një fëmijë jashtë martese, fëmijë dashurie si mund të thuhet, nuk është e thjeshtë.

60-vjetori ’troket’ me një surprizë jete, Valbona realizon ëndrrën në sirtar

Vitet e fundit kanë sfidues për Ingridin pasi jeta i është shenjuar nga humbja e prindërve dhe gërmimi drejt së vërtetës për të mësuar mbi prejardhjen dhe identitetin e saj. Në historinë që ndau me “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tregoi momentin kur mësoi se ishte e birësuar dhe kërkimin e gjatë për prindërit biologjikë.

Nëna, Pranvera i ka ndërruar jetë në moshë të re e prej saj ka mbetur vetëm një foto krah Ingridit të vogël. Babai mbetet ende një pjesë e paplotësuar e formueses së saj. Megjithatë, Ingridi nuk ka qenë asnjë çast e braktisur sepse mes njerëzve që i janë gjendur pranë, është mbajtur fort pas dorës së Valbonës.

Veç lidhjes familjare, mes tyre ka një miqësi të fortë, mbështetje dhe shumë dashuri ndaj Ingrid dëshiron t’i shprehë gjithë mirënjohjen e saj.

Ingrid: Nuk mjaftojnë fjalët, nuk mjaftojnë surprizat për atë që ti je. Çupë e denjë e familjes tënde, nuse e denjë e familjes sime, motra ime, shpatulla ime në gjithë situatën e jetës sime dhe sidomos vazhdon je telefonata e parë dhe e fundit që mund të bëj në ndonjë situatë. Nuk kisha mënyrë tjetër të të falenderoja ty në këtë prag 60-vjetori dhe doja të të bëja një surprizë jete që të mbetej. Të kam shqetësuar emocionalisht, por ti je gocë kapedane.

Valbona: Giti, ti je dashuri!

Ingrid: Përtej kësaj surpriza ime shkon një çikë më tej. Ti ke një ëndërr në sirtar dhe unë ta di shumë  mirë, “një ëndërr ja po trokasin provimet, zemrat tona plot emocion”.

Valbona: Uau!

Ingrid: Duhet që të tërë ta dëgjojnë zërin tënd të bukur, shpirtin tënd të bukur dhe të mbetej historia  jonë përjetë ashtu si janë lidhur fatet tona përjetë. Nuk do të të shoqëroj unë jo se nuk ma mban emocionalisht, kam sjellë një mikun tim, koleg të Operas që do të gjeni diçka, një strofë ta këndoni përjetë, e mbetur përjetë kujtim i bukur jo për mua se unë e di sa zë të bukur ke, por për nipërit dhe mbesat që uroj të trashëgohen dhe të gëzohesh mbase edhe me stërnipërit e stërmbesat. Të dua shumë, s’kam fjalë ta them.

Valbona: Kjo është një dhuratë jashtëzakonisht e bukur. Jo të gjithë kanë fatin të përjetojnë emocione të tilla. Unë e pata sot.

Siç Ingrid tregoi më herët, ëndrra e Valbonës ishte muzika por gjatë regjimit të diktaturës s’mundi ta ndiqte prej biografisë. Sot, ajo e realizon duke sjellë pak magji me “Thërrime dashurie”.

/tvklan.al