Ardit Gjebrea: “Zonja dhe zotërinj jemi rikthyer në të Dielën Shqiptare.”

Ardit Gjebrea:Miqtë tanë, spektatorë, telespektatorë jemi kthyer pas një kohe pushimi, pra vetëm një muaj tek “E diela shqiptare” thjesht për motivin që të vinim me këtë imazh fantastik për ta bërë këtë studio të televizionit Klan ndoshta më të bukurën në historinë e spektakleve televizive shqiptare, por nuk kemi ardhur vetëm me look të ri, kemi ardhur me shumë miq të rinj, më profesionist se kurrë, duke filluar nga një band i udhëhequr nga Shpëtim Saraçi.”

Kjo ka qenë trokitja e së dielës shqiptare në çdo familje brenda dhe jashtë vendit pas një mungese dy javore, por e justifikuar më së miri me një rikonceptim në formë e përmbajtje. Nga ana e ideatorëve dhe realizuesve të këtij megaprojekti të televizionit Klan. Gjithçka ka ardhur ndryshe, duke nisur nga skenografia vezulluese, realizimi i mjeshtrit italian Gaetano Castelli, autor i të gjitha skenografive në programet televizive të Rai-t dhe 14 audicioneve të Sanremos.

Por spektakli, argëtimi, muzika dhe humori janë elementët e këtij show spektakolar që do të mbajë teleshikuesin të mbërthyer pas televizionit Klan në një transmetim maratonë prej 6 orësh. Por si mund të vinte e diela tek shqiptarët pa humorin tashmë me dy të mirënjohurit  Julian Deda dhe Gentian Zenelaj kësaj here nën petkun e dy  personazhe të rinj, atë të Zilies dhe Mukadesit.

Sezoni i ri i së Dielës Shqiptare ka ofruar shumë miq të rinj, këngëtarë dhe personazhe të fushës së artit dhe ekranit. Zerina Kuke, regjisori Saimir Kumbaro, këngëtarët Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka, Ulpiana Lamaj dhe emra të njohur të politikës si Aldo Bumçi e shumë të tjerë. Trupa e baletit e televizionit Klan me 14 balerinë e balerina nën drejtimin e koreografit Albi Nako i kanë dhënë një tjetër ritëm takimit të parë të këtij sezoni.

Ndryshe nga sa jem mësuar ta njohim prezentatori Ardit Gjebrea, është bërë protagonist edhe në një formë tjetër, duke ju bashkuar orkestrës së TV Klan.

Talk show i përqendruar në problemet sociale, ekonomike dhe kulturore me të cilat përballen shqiptarët, sport, lojëra me të ftuarit VIP, kuizet me të papritura të këndshme, telefonata dhe shumë dhurata.

Ky ishte spektakli i parë i së Dielës Shqiptare për vitin 2009, i nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, jo vetë për t’u argëtuar, por edhe për të fituar dhurata të lojërave, kjo është e diela e të gjithë shqiptarëve./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro