Në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Andriola Kambo, ndau detaje sa i përket organizimit për dy festat e mëdha kombëtare që bëjnë bashkë të gjithë shqiptarët nga çdo cep i globit.

Kambo tha se edhe këtë vit njësoj si vitin e kaluar do të kemi përsëri paradën e shqiptarëve që do të mbahet në kryeqytet.

“Parada e shqiptarëve këtë vit do të jetë vetëm emocion, por do të sjellë diçka ndryshe. Sepse do i japë fokus familjes dhe edukimit.”

Siç pohon vetë Andriola Kambo, parada do të sjellë një retrospektivë të ngjarjeve më të rëndësishme historike të kombit tonë. Teksa tregoi dhe veçoritë e paradës që do të mbahet pas dy ditësh, ajo tha se pjesë e aktivitetit nuk do të jenë vetëm shqiptarët e trevave, por dhe ata të Amerikës, Belgjikës dhe më gjerë.

Andriola Kambo: E njëjta gjë do të jetë dhe këtë vit ku nuk do të kemi vetëm shqiptarë që vijnë nga hapësira shqip-folëse në rajon, pra Lugina e Preshevës, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, kemi dhe shqiptarët e Amerikës të cilët janë bashkorganizatorë në këtë event. Kemi që vitin e kaluar me Marko Kepin, i cili ka 15 vite që organizon në New York dhe këtë vit jemi përsëri bashkë në një platformë të tillë. Kemi shqiptarët e Amerikës gjithashtu, por kemi dhe shqiptarët e Brukselit të cilët gjithashtu që na bashkëngjiten. Pra diaspora jonë këtë vit është e gjitha një buqetë e bukur festive dhe jo vetëm si një mision i përbashkët i krenarisë për të dashur kombin, por dhe një mesazh vëmendjeje për historinë, kulturën dhe dinjitetin. Besoj se fokusin do e kemi tek të rinjtë këtë vit dhe këto ngjarje të mëdha historike, patjetër që janë momente festimi të një ngjarjeje shumë të rëndësishme për ne kombëtare, por dhe një moment shumë i mirë reflektimi, që të kemi vëmendje ndaj historisë, t’i drejtojmë të rinjtë tanë tek e shkuara dhe të kuptojmë që të mos bëjmë gabime tek ditët e sotme.

Rudina Magjistari: Tek vlerat dhe dinjiteti.

Andriola Kambo: Parada do të sjellë shumë figura historike, pra do të udhëtojë në histori. Në lidhjen e Prizrenit, qyteti që vjen me gjithë historitë dhe në të gjithë asetin historik që mbart ky qytet. Do të sjellë dhe personazhe kryesore, pra këto janë edukuese për të rinjtë. Gjithashtu në vitin 1912 sjellim të gjithë personazhet e rëndësishme historike që i kemi pasur dhe vjet, po i kemi dhe këtë vit. Jo vetëm që do të jenë të fokusuar në momentet kyçe të etapave historike që kemi kaluar ne si komb, por jemi duke ndërtuar një paketë të përbashkët turistike, kulturore dhe historike. Kjo për ne është shumë e rëndësishme sepse u japim fokus të gjitha qyteteve të vogla. Qytetet e voglat promovohen pikërisht nga kryeqendra e gjithë shqiptarësisë që është Tirana. Tirana, Prishtina dhe Shkupi do të kenë peshën kryesore.

Rudina Magjistari: A do të mbahet në të treja njëkohësisht?

Andriola Kambo: Jo nuk do të bëhet njëkohësisht ato kanë filluar përgatitjet e tyre. Kudo ku jetojnë shqiptarët festat e Nëntorit priten dhe kanë një program artistik në të gjitha qytetet në hapësirën ku jetojnë shqiptarët. Por, këtë vit ne kemi menduar që dhe Prishtina kur vjen prezantohet, vjen me një program dedikuar të rinjve më pas Shkupi fokusohet jo vetëm tek trashëgimia, por dhe tek turizmi, kurse Tirana i dedikohet familjes.

Rudina Magjistari: Si do të vijë kjo deja e familjes?

Andriola Kambo: Në jemi fokusuar shumë tek kurora e Tiranës do të prezantojmë pikërisht produktet vendore dhe gjithë njësitë administrative rurale të Tiranës, 13 njësi janë duke u përgatitur që të përfshihen në këtë manifestim të bukur për të promovuar gastronominë, produktin vendor dhe se sa e rëndësishme është që t’i kushtojmë vëmendje asaj dhe se sa e rëndësishme është që ne të themi që unë jam nga kjo zonë dhe kemi këto produkte, të jemi krenarë për gjërat që ne kemi sepse është dhe zhvillim ekonomik./tvklan.al