Edhe pse në daljet e tij të fundit publike nuk i ka kursyer akuzat dhe ofendimet ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, sonte në studion e “Opinion” ish-Presidenti Ilir Meta thekson se nuk ka asgjë personale me të. Megjithatë përdor të njëjtën gjuhë ndaj Dumanit duke e konsideruar “të vogël për t’u marrë me të”.

I pyetur se pse nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj Arben Krajës në kohën kur po njësoj e ka kritikuar punën e SPAK, Meta nuk dha një përgjigjie konkrete.


Enton Abilekaj: Njëherë e sulmoni për mosveprim, njëherë për mbiveprim. Për çfarë e sulmoni?

Ilir Meta: Pse nuk i arrestoi kur provat flagrante u bënë publike? Nuk i arrestoi sepse me lekët e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan e Fier duhet të bliheshin zgjedhjet.

Enton Abilekaj: Ju se sulmoni Krajën. Dumanin ju e sulmoni sepse ai guxoi t’ju hetojë juve. E keni personale…

Ilir Meta: S’kam asgjë personale, përkundrazi…Ai është shumë i vogël që unë të merrem personalisht me të.

Blendi Fevziu: Ai është kreu i SPAK!

Ilir Meta: Shumë i vogël mo, o zotëri të lutem…Ka mijëra e mijëra njerëz në Shqipëri që mund të merren me të.

Enton Abilekaj: Ju po e fyeni prapë dhe po e intimidoni.

Ilir Meta: Unë e kam kritikuar SPAK-un kur të gjithë prisnin që të zbardhej çështja e Dibrës dhe Shijakut. E kam kritikuar kur opozita e denoncoi për çështjen e Elbasanit.

Enton Abilekaj: Nuk shpikët asnjë epitet si Dum Dumani me Krajën, as se përmendët fare./tvklan.al