Eldiana Zite është një 32-vjeçare nga fshati Maliq i Korçës që jeton në Tiranë, por prej vitesh ka zgjedhur një zanat të vështirë që rrallëherë e shohim ta bëjnë vajzat dhe gratë, tapiciere.

Eldiana e ka nisur zanatin që prej vitit 2017 dhe prej 4 vitesh punon krah bashkëshortit. Si nënë e tri vajzave, ajo tregon për “Rudina” në Tv Klan se dita e saj nis që në 6 të mëngjesit kur merret me to e më pas shkon në punishte.

“Këtë fushë e kam nisur në një situatë paksa delikate apo të vështirë në jetën time pasi unë e ushtroja si profesion diku tjetër, vjen një moment që unë doja t’i përkushtohesha vetëm punës sime. Do të thoni ju çfarë momenti delikat? Ka qenë një moment kur unë isha shtatzënë dhe unë pushohem nga puna për shkak të kësaj shtatzënie sepse kishte problematikat e veta, kështu le të themi që një gjë e keqe ndodh për një arsye të mirë apo një arsye e mirë për një gjë të keqe. Në rastin tim ishte që ai pushim nga puna mua më dha guxim dhe forcë për të vazhduar biznesin tim”.

32-vjeçarja tregon se puna e saj e parë ishte një shtrat për të cilin iu desh shumë mund e lodhje për ta përfunduar. Ajo tregon sfidat e shumta dhe paragjykimet me të cilat i është dashur të përballet gjatë jetës së saj për të arritur aty ku është sot.

“Jam ndier shumë herë e paragjykuar. Në momentin kur unë shkoja për të marrë materialet, prisja edhe me orë të tëra, me copat, me sfungjerët sepse më shihnin si një femër dhe çfarë do kjo këtu, mes burrave?”

Në këtë rrugëtim, Eldiana ka pasur gjithnjë mbështetjen nga bashkëshorti i saj.

“Është edhe një ndihmë im shoq. Fakti që unë po e përmend tim shoq, është arsyeja pse unë kam arritur deri këtu sepse ka qenë ai krahu im i djathtë, mbështetja në momentet e vështira dhe kur unë demoralizohesha, ai më jepte fuqinë për të vazhduar.”

Veç të shoqit, ajo përlotet ndërsa kujton që mbështetja kryesore është një person shumë i dashur, besimi i të cilit tek ajo nuk njohu kurrë lëkundje.

“Kur e kam hapur këtë biznes kam qenë në një situatë të vështirë sepse unë sapo kisha marrë edhe shtëpinë në atë periudhë kohe dhe njerëzit nuk besonin se unë do të ecja. Unë nuk kam pasur mbështetjen e askujt përveç një personi që më ke prekur këtu sepse ai person nuk jeton më, është gjyshi im”.

Në këtë ditë të rëndësishme, Eldiana feston edhe ditëlindjen ku mori edhe një surprizë nga tri vajzat e saj. Sa i takon profesionit, ajo thotë se duhet përkushtim, por e mbyll duke thënë: “Nuk ka gjë të pamundur, ka të vështirë, por jo të pamundur”./tvklan.al