Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2008 për të drejtat e njeriut. Në kapitullin për Shqipërinë raporti thekson, se përgjithësisht qeveria i ka respektuar të drejtat e qytetarëve të saj.

Në lidhje me pronën private raporti thotë, se ajo vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri, veçanërisht krimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist.

Lidhur më këtë çështje ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të Avokatit të Popullit për të vepruar dhe ankesave që i parashtrohen atij lidhur me çështjen e pronave.

Autoritetet thekson më tej raporti nuk vunë në zbatim shumë vendime lidhur me kthimin e pronave, si rezultat i pasojave të mëdha sociale dhe ekonomike të këtyre vendimeve.

Për luftën kundër korrupsionit kryesisht në administratën publike dhe në polici, theksohet se qeveria ndoqi penalisht zyrtarët korruptuar dhe trajtoi një sërë çështjesh ankesash të qytetarëve për korrupsionin në polici.

Ministria e Brendshme raportoi se kishte shqyrtuar 68 raste korruptive dhe 276 çështje abuzive të përgjithshme nga punonjës të administratës publike. 153 zyrtarë u arrestuan, sidoqoftë pagat e ulëta dhe ryshfetet në shoqëri e bëjnë korrupsionin në polici të vështirë për tu luftuar.

DASH jep komentet e tij mbi ligjin e pastërtisë së figurave, raporti thekson se ky ligj është formuluar me terma të mjegullt tha dhe nënvizon konfliktin e lidhur ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit për shkak të tij.

Përsa i përket lirisë së fjalës dhe shtypit në raport thuhet se në përgjithësi qeveria i ka respektuar këto të drejta. Megjithatë ka patur raportime për një presion indirekt të saj dhe bizneseve mbi median.

Gjatë vitit 2008 progres është bërë në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, por ky fenomen mbetet ende problem. Shqetësim ngrihet lidhur me kushtet në burgje./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle