Dashuria më e paqtë dhe e pakushtëzuar konsiderohet ajo e gjyshërve ndaj nipërve e mbesave të tyre. Mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit u ndalën pikërisht sa i përket kujtimeve dhe këshillave që kanë me gjyshërit e tyre.
Por, njëra prej tyre duket se është më fatlumja. Këngëtarja Ketlin Pjalmi, mes emocionesh tregoi raportin e ngushtë që ka pasur me gjyshërit e stërgjyshërit e saj. Teksa flet për gjyshen nga e cila aq shumë kishte mësuar, tregon se në shkollë shpesh tallej për mënyrën e të folurit apo të menduarit në krahasim me bashkëmoshatarët e saj.
“Ti flet si gjyshe”, kujton këngëtarja fjalët e miqve të saj të shkollës 9-vjeçare.
“Unë përveçse kam pasur 4 gjyshër, kam pasur dhe 3 stërgjyshër deri shumë vonë. Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në duart e mia. Unë as nuk i kam darë në fakt se kë kam gjyshe e kë kam stërgjyshe, ndoshta nga dashuria e madhe e njëjtë që kam marrë prej tyre. Mendoj se kjo ka qenë një nga gjërat më me fat që unë mund ta konsideroj veten, që të rritem me gjyshërit dhe stërgjyshërit e mi. Në shkollë nganjëherë jam bullizuar sepse më thoshin që ti flet si gjyshe dhe ashtu ishte se unë flisja si ata. Isha më e paqtë se brezi im, sepse kisha një stërgjyshe që edhe pse i kishin vrarë burrin e burgosur fëmijët, internuar, kishte kaluar të zinjtë e ullirit. Ajo thoshte “fale, e di Zoti, janë punët e Zotit”, dhe ajo qetësia më ka bërë që ndoshta që këtë formë kam logjikuar dhe në shkollë kështu isha “punët e Zotit, kalojnë”. Dhe fëmijët më qeshnin, ti flet si gjyshe mendon si gjyshe. Sot jam një mami vet dhe mendoj se jam shumë me fat,” tha Ketlin Pjalmi./tvklan.al