Aktori i njohur Fatmir Xhelilaj i teatrit dhe estradës së Fierit ditën e sotme ka humbur jetë në moshë 69-vjeçare si pasojë e koronavirusit. Për ndarjen e artistit ka reaguar edhe zv.ministri i mbrojtjes Petro Koçi përmes një postim në Facebook ku shpreh dhimbjen e tij.

“Të dashur miqtë e mi, me lotë burri në sy ju njoftoj se një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake, miku im dhe i të gjithëve, vëllai i Mirës, shoqes time të klases, vëllai i Met Xhelilit shokut tim të 8-vjeçares, aktori i madh i teatrit dhe estrades së Fierit tonë, Fatmir Xhelili, humbi jetën sot për shkak të këtij Covidi të mallkuar dhe një patologjie tjetër të mëparshme!


Është një dhimbje shpirti dhe një vuajtje e vërtetë kur qytetit tonë i shuhen njerëz si Fatmiri që i kanë dhënë ndër vite gaz e kuptimplotshmëri jetës tonë, shpirtit dhe zemrës së qytetit! Do mungojë një familjar i rrallë, një gjysh e baba i mrekullueshëm, një fqinj prej mjalti dhe një buzëqeshje e ndjerë e ditëve tona!
I shpreh mirënjohjen mjekëve të infektivit për përpjekjet e palodhura për ta shpëtuar Fatmirin tonë dhe durimin për t’iu pergjigjur interesimit tonë e të familjes! Fatmir, të përulemi për çka i dhe jetës së të tjerëve”,
ka shkruarzv.ministri i mbrojtjes Petro Koçi

Fatmir Xhelili ka interpretuar gjatë karrierës së tij rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me 4 çmime të para si aktori më i mirë.

Fatmir Xhelili, për 46 vjet rresht, ai ka interpretuar përkrah emrave të mëdhenj si Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj. Fatmiri e ka nisur rrugën e artit si aktor amator. Ai punonte si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ndërsa pas pune angazhohej në teatër. Puna si aktor amator ka zënë një vend të veçante për aktorin Fatmir Xhelili. Interpretimi me mjeshtëri i roleve që merrte, e bënë Fatmirin një figurë të dashur për publikun. /tvklan.al