Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, thotë se vetëm ligji dhe kushtetuta do të prevalojë në shqyrtimin që Kuvendi do t’i bëjë dy draft propozimeve të Partisë Socialiste.
Një nga këto propozime parashikon miratimin e një ligji të posaçëm, i cili të mundësojë hapjen e kutive të votimit.
Edi Paloka: “Këta kanë paraqitur një projektligj, sipas të cilit kërkohet që të hidhen poshtë të gjitha gjykatat: Gjykata e Apelit, Kolegji Zgjedhor, Gjykata Kushtetuese dhe të krijohet një komision hetimor, i cili do të jetë sipër të gjitha gjykatave dhe do të marrë vendim në bazë të këtij ligji të ri, sepse është një ligj që nuk ka ekzistuar dhe që në këtë moment del që kemi të drejtë ne, sepse ata po propozojnë një ligj për të hapur kutitë, ndërkohë që deri dje kanë thënë që ne kemi të drejtë ligjore dhe në bazë të ligjit ekzistues, ne mund t’i hapim kutitë dhe na kërkojë ne të krijojmë një grup hetimor që të jetë sipër të gjithë gjykatave. Po një grup i tillë me deputetë, i bie që nesër të mblidhet një grup tjetër hetimor dhe të vendosi të lirojë Aldo Baren, për shembull, ose të vendosi, ça të them unë, të marri çdolloj vendimi kundër çdolloj vendimi tjetër gjykate. Megjithatë, thashë pa paragjykuar, le të presim ta shqyrtojmë draftin që ata kanë paraqitur dhe thashë: Në bazë të Kushtetutës, të ligjit, të rregullores së parlamentit, do të veprojmë.”
Paloka akuzon kryetarin e Partisë Socialiste se po sillet si pengmarrës referuar gjithë sjelljes së tij politike që prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare,
Edi Paloka: “Sepse çfarë thotë Edi Rama? Ligji nuk më jep të drejtë, votat e shqiptarëve nuk më japin drejtë, gjykatat nuk më japin të drejtë, atëherë unë bëj protesta, unë pengoj integrimin, unë nuk i lejoj t’ju liberalizohen vizat, në qoftë se ju nuk më jepni atë që kërkoj unë. Kjo është sjellja e një pengmarrësi dhe me pengmarrësit në asnjë vend demokratik nuk ka marrëveshje, nuk dialogohet, sepse në qoftë se ne biem pre e presionit të një pengmarrësi sot, nesër do të dalë një pengmarrës tjetër, do të kërkojë diçka tjetër dhe historia e këtij vendi mund të shkojë për mbrapsht. Thashë ai po sillet si një pengmarrës, pavarësisht se nuk është realisht në pozitat e pengmarrësit, sepse nuk mban dot gjë peng Edvin Rama, nuk tremb njeri as me protesta, as me mungesë integrimi”.
Paloka komenton dhe tezën e hedhur nga Partia Socialiste dhe aleatë të saj për zgjedhje të parakohshme në rast të mospranimit nga mazhoranca të kushtit për hapjen e kutive të votimit.
Deputetët demokratë e cilësojnë artikulimin e këtij opsioni absurd.
Edi Paloka: “Sipas kësaj teorie çdo parti që do humbasë zgjedhjet mund të bëjë bojkot dhe mbas një viti të bëjë zgjedhje prapë. Që të bëhen zgjedhje të parakohshme duhet të ketë krizë institucionale, duhet që mos funksionojnë institucionet, por parlamenti funksionon mrekullisht, qeveria mrekullisht, të gjitha institucionet e tjera funksionojnë me rregull, pse duhet të bëhen zgjedhje? Sepse i pëlqen Skënder Gjinushit e Spartak Ngjelës, Edvin Ramës? Kjo është. Unë kur i dëgjoj dmth, gjë më qesharake në botë, besoj edhe për shqiptarët, nuk mund të ketë”./tvklan.al