Ndalimi i importit të naftës D2 ka hapur debate politike. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, sqaroi arsyet e vendimit të marrë nga qeveria duke thënë se ai vjen nga detyrimet që vendi ynë ka ndaj Bashkimit Evropian.
Genc Ruli: “Qëllimi i masave që ka ndërmarrë qeveria në sektorin e tregut të hidrokarbureve në vend është padyshim që objektivi jonë për të përafruar legjislacionin në kuadrin rregullator me atë evropian. Padyshim të gjitha masat bazohen në legjislacionin janë plotësisht të bazueshme në legjislacionin vendas për ruajtjen e mjedisit, si dhe në ligjin për konkurrencën dhe tregtinë e lirë në Shqipëri.”
Më tej ministri Ruli shtoi se sipas marrëveshjes ARMO do të jetë prodhuesi i vetëm në vend, por jo treguesi i vetëm duke u krijuar kështu mundësi dhe firmave të tjera të tregtojnë naftë të tipit D2, por kryetari i Partisë Socialiste reagoi pas takimit që zhvilloi me përfaqësues të shoqatës së hidrokarbureve dhe i kërkoi qeverisë që të tërheqë çdo vendim të saj pasi sipas tij ai krijon konkurrencë të pandershme në tregun e hidrokarbureve.
Edi Rama: “Ne jemi të vetëdijshëm se mushkëritë e shqiptarëve nuk mbrohen nga helmi i naftës D2 që vjen nga Evropa duke iu futur helmin e naftës D1 që prodhohet në vend.”/tvklan.al