Apelit të delegacionit të asamblesë parlamentare të KiE, që i kërkoi opozitës të zërë vendet e saj në Kuvend kryesocialisti Rama i është përgjigjur negativisht.

Edi Rama ka artikuluar qartë se vetëm hapja e kutive mund të thyej bojkotin parlamentar të socialistëve.

Edi Rama: “Dua ta theksoj fare shkoqur se as në bashkëbisedimet hapura e të sinqerta me ta as në deklaratën e tyre zyrtare dhe as në përgjigjet e mysafirit turk, nuk dëgjova të mohohet e drejta jonë për hapjen e kutive. Pa hapjen e kutive nuk ka zgjidhje të krizës dhe as rifillim të jetës normale parlamentare. Unë i siguroj të gjithë shqiptarët se ne nuk tërhiqemi nga beteja jonë për të mos lejuar institucionalizimin e regjimit të korrupsionit mbi zgjedhjet në Shqipëri.”

Rama ka deklaruar se mazhoranca nuk mund të kushtëzojë objektin e hetimit për komisionin parlamentar për të cilin të djathtët kanë pranuar të drejtohet nga opozita e cila mund të ketë dhe shumicën në të , propozim ky i mbështetur dhe nga delegacioni i Këshillit të Evropës.

Edi Rama: “Ofertës së qeverisë për të krijuar një komisionin që ndalohet tu qaset kutive, duke mbuluar krimin elektoral që fshihet në kuti dhe amnistuar në këtë mënyrë autorët e tij në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve përmes një gjoja hetimi. Ne i përgjigjemi se nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa kutitë.”

Duke përshëndetur përpjekjen e delegacionit për zgjidhjen e ngërçit parlamentar, Rama është shprehur pozitivisht për të vijuar dialogun politik të iniciuar nga kreu i republikës, por ka shtuar se socialistët kanë gati për veprim aksionin politik për të rifilluar protestat popullore./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka