Njësitë vendore kërkojnë të kenë në dorë kontrollin mbi territorin, në asamblenë e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka kërkuar që shumë shpejt kontrolli mbi territorin të kalojë mbi kompetencat e pushtetit lokal në mënyrë që të ndalohet ky zhvillim kaotik që po pengon zhvillimin urban të vendit.
Edi Rama: “Kryeqyteti që ne kemi në dosjet e urbanistikës është tjetër nga kryeqyteti që zhvillohet në realitet për sa i takon ndërtimeve specifike de për fat të keq ajo çka ndodh në realitet është rëndom ndërtime që dalin nga përmasat e lejes, që zgjerohen anas që rriten lart, duke ndryshuar kështu parametrat e vetë lejes. Pavarësisht punës së lavdërueshme dhe shumë voluminoze të policisë ndërtimore, ne jemi të bindur se nuk është kjo rruga e kontrollit mbi territorin, por është decentralizimi i kësaj ministrie”.
Një arsye tjetër që kontrolli sipas Ramës duhet të kalojë sa më shpejtë në kompetencat e njësive vendore është edhe kontrolli i cilësisë së qindra ndërtimeve të reja, duke shmangur ndonjë tragjedi.
Edi Rama: “Për problemin e cilësisë së ndërtimeve, ne jemi krejtësisht të zbuluar dhe nëse nuk duam të jemi dëshmitarë të skenave që shohim nga ekrani i televizorit dhe që vijnë nga Kajro apo nga Stambolli duhet me shpejtësi të bëhemi të vetëdijshme për një kontroll të domosdoshëm mbi cilësinë e ndërtimit”.
Edhe një herë kreu i Shoqatës së Bashkive ka kërkuar të mos miratohet nga parlamenti ligji për legalizimin e shtesave të ndërtimeve të reja, kundrejt një gjobe prej 4% nga vlera e shtesës. Rama ka kërkuar që shuma që do të paguajnë ndërtuesit do të jetë më e madhe dhe kjo do të shkojë për mirëmbajtjen e infrastrukturës së qyteteve./tvklan.al