Turi i takimeve të kryetarit socialist, Edi Rama, me Rrjetin e Vullnetarëve është ndalur në qytetin e Ballshit.
Në fjalën e tij kreu i opozitës e ka vënë theksin tek varfëria dhe papunësia, si dy problemet kryesore me të cilat ndeshen qytetarët sot.
Në përgjigje të interesit të një qytetari për heshtjen e treguar kundrejt sharjeve të Berishës dhe Metës, Rama i është përgjigjur se gjuha e akuzave nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur hallet dhe shqetësimet e njerëzve.
Edi Rama: “Unë do ta bëja në rast se të sharat e mia do të ndihmonin ty të jetoje më mirë. Në rast se nga të sharat e mia ti do gjeje punë, në rast se nga të sharat e mia ti do ta paguaje me çmime më të arsyeshëm ushqimin për vete, për familjen dhe për fëmijën, në rast se nga të sharat e mia ti do të shkojë në spital dhe do të kishe një shërbim më të mirë.”
Kreu socialist u shpreh se bashkimi i ri përtej së majtës e së djathtës do të jetë ai që do të sjellë ndryshimin e shumëpritur, duke e shkëputur vendin nga politika e vjetër 18-vjeçare.
Edi Rama: “Shikoni tek njëri-tjetri një arsye më shumë për të luftuar së bashku dhe jo një aryse më pak. Shikoni tek njëri-tjetri një krah më shumë në një përpjekje që nuk është përpjekje për njërin apo për tjetrin, por është përpjekje për të gjithë bashkë dhe mbi të gjitha për fëmijët tanë.”
Rama u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 Qershorit, ngjarje që sipas tij do të ndryshojë fatin e shqiptarëve, duke mos e lënë më atë në dorën e interesave te vogla të politikës./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle