Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal në qytetin e Sarandës ku zhvilloi një tubim elektoral me anëtarë dhe mbështetës të së majtës.
Duke bere thirrje dhe një herë lirinë e votës Rama tha se pas 28 Qershorit personat që do ta cenojnë atë do të përgjigjen para ligjit.
Edi Rama: “Fushata elektorale po kthehet dita-ditës në një makth për të gjithë ata mësues dhe mësuese, mjekë e infermierë, nëpunës dhe nëpunëse të shtetit që duhet të përballojnë çdo ditë e më shumë presionin, shantazhet, kërcënimet e pushtetit të një grupi njerëzish që kërkojnë me çdo kusht votën e këtyre shqiptarëve e shqiptareve të thjesht e të ndershëm duke i vënë përpara alternativën e humbjes së vendit të punës dhe të bukës së gojës. Çdo dëshmi e çdo nëpunësi, e çdo mësuesi, e çdo mjeku që do të denoncojë këta lloj drejtuesish në administratë e pushtet do të vlejë për të çuar cilindo përpara gjyqit dhe ne nuk do t’i ndahemi derisa t’i japim dënimin e merituar”.
Sipas kreut të selisë rozë Shqipëria e vitit 2009 duhet të ndahet nga kjo qeverisje, e cila ka cenuar parimet e standardet demokratike.
Edi Rama: “Për çfarë mund të flasim ne sot në vitin 2009 në qoftë se nuk çlirohemi një herë e mirë nga kjo lloj politike e vjetër e të shkuarës, e cila është politika e politikanëve që krenohen për standardet demokratike dhe pastaj kërcënojnë mësues, kërcënojnë mjekë, kërcënojnë nëpunës duke e vënë shtetin në gjunjë për interesat e një grushti njerëzish, e një oborri të korruptuarish, e nj familjeje që ka marrë peng qeverinë e vendit tonë dhe e një kryeministri që e çdo me kusht mandatin për të vazhduar të bëjë biznes me qeverinë për familjen e tij”.
Kryesocialisti apeloi edhe një herë thirrje mbi mospranimin e votës, një skenar qe sipas tij po përgatitet nga qeveria.
Edi Rama: “Sali Berisha dhe grushti i njerëzve që sot duan të mbajnë me çdo kusht pushtetin duke përdorur shtetin për të kontrolluar dhe deformuar votën e njerëzve duhet të heqin dorë nga çdo strategji dhe nga çdo përpjekje për manipulim dhe ndërkohë cilido që do të guxojë të prekë votën tonë duhet ta dijë se në 29 Qershor nuk do të kenë në Shqipëri vrimë ku mund të fshihen.”
Rëndësia e votës së zgjedhjeve të 28 Qershorit do të ketë të njëjtën rëndësi si në atë të vitit ‘92 ku shqiptarët duhet të zgjedhin mes të ardhmes dhe te shkuarës, përfundoi kryesocialisti Rama.
Edi Rama: “Vota e 28 Qershorit vlen njësoj si vota e vitit 1992 për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë tjetër, për të mbyllur një faqe të vjetër dhe për të hapur një faqe të re”./tvklan.al