Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar turin e elektoral në qytetin e Beratit ku prezantoi dhe kandidatët për deputet që do të garojnë më 28 qershor në këtë qark. Gjatë prezantimit të programit elektoral të forcës që ai drejton Rama tha, se vjen në këtë garë me një vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë. Sipas kryesocialistit sfida e politikës së re nuk është ajo e mundjes së kundërshtarit politik, por ndarja e Shqipërisë nga papunësia dhe varfëria.
Edi Rama: “Unë këtu kam ardhur me një program që e kemi shkruar së bashku, më një skuadër që do të angazhohet dhe do të realizojë këtë program të shkruar së bashku dhe me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes time dhe të këtyre njerëzve për tu dhënë mbrojtje të varfërve, për tu dhënë krah të papunëve, për tu dhënë shpresë të rejave dhe të rinjve. Unë nuk vij në këtë garë nga urrejtja dhe nga instikti luftarak për ta gjunjëzuar kundërshtarin, as nga nevoja për të ushtruar pushtet mbi tjerët apo nga synimi për tu zgjatur më shumë duke hipur në një karrige më të lartë, por vij në këtë garë nga dashuria për vendin tim. Besojini forcës së madhe të një bashkimi të ri qytetarësh përballë një pazarit të vjetër kryetarësh. Besojini këtyre fjalëve që burojnë nga zemra dhe që ua them duke e parë si dritën e diellit historinë e jashtëzakonshme që ne mund të shkruajmë të gjithë së bashku pas 28 qershorit.”
Për kryesocialistin është koha që të gjithë të besojnë tek forca e votës për të ndryshuar të ardhmen dhe për ti thënë stop politikës së vjetër të përbaltjes dhe mllefit. Kjo është arsyeja tha Rama pse dua të jem kryeministri juaj i ardhshëm, për të hapur një faqe të re në historinë e zhvillimin e vendit.
Edi Rama: “Mjaft 18 vjet me ndryshimet e qeverive që ndryshojnë vetëm qimen, por jo zakonet e këqija të pushtetit që në 18 vjet u ka dhënë shqiptarëve vetëm shfaqjen bajate të pazarit të vogël politik të interesave të vogla. Prandaj unë dua të jem kryeministri juaj, prandaj unë dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh, sipas interesave tyre dhe të hapë një faqe të re, ku së bashku ti shkruajmë gjërat në 4 vitet e ardhshme sipas interesit të madh të Shqipërisë, të së ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë pa dallim.”
I bindur në fitoren e 28 qershorit Rama tha gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet në qarkun e Beratit, se qeverisja e pas zgjedhjeve do të jetë me qytetarët dhe për qytetarët, duke u dhënë zgjidhje në këtë mënyrë problemeve që sipas kryesocialistit vijojnë të mbahen peng nga politika e vjetër./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro