Propozimi i disa deputetëve socialistë për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale shkaktoi kaos në Kuvend. Demokratët akuzuan shumicën se kanë sjellë një fletë të bardhe me disa firma, ndaj kërkuan ndërprerjen e seancës deri sa të njihen me draftin.
“Ligjet nuk vijnë me SMS. Është vetëm letër e bardhë. Mashtruat publikisht”, tha Gazment Bardhi.
Por rinisja e punimeve solli debate edhe më të ashpra mes palëve. Opozita akuzoi maxhorancën se po përdor për fushatë elektorale një ligj të shfuqizuar dy vite më parë nga Gjykata Kushtetuese, por maxhoranca i tregoi forcën e kartonave.
“Po ekzekutoni vendimin me dy vjet vonesë. I grabitët qytetarët me gjoba të padrejta”, u shpreh Bardhi.
“Kemi numrat dhe do i anulojmë këto gjoba. Parlamenti do ta miratojë brenda dhjetorit”, tha ministri Ulsi Manja.
Më herët palët debatuan edhe në lidhje me draft-opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e socialistes Olta Xhaçka. Demokratët akuzuan kryeparlamentaren se i ka shpërndarë dokumentin socialistëve, por kjo e fundit mohoi ekzistencën e tij.
“Keni bërë me dije Grupin e PS, ndërkohë që tre grupet e opozitës nuk i keni vënë në pozicion draftin”, u shpreh Bardhi.
“Nuk ka asnjë dokument zyrtar nga Komisioni i Venecias. Kur të vijë, do ndahet, PS nuk ka asnjë draft”, tha Spiropali.
“E kam me email nga drejtori i zyrës së Komisionit të Venecias, që drafti ju është dorëzuar ju”, u shpreh Bardhi.
“Meqë të ka ardhur kërkoja atij, do konsultohem nëse ai draft është publik dhe nëse duhet shpërndarë”, tha Spiropali.
Debatet për procedurën u pasuan nga ato personale, ku kësaj radhe protagonistë ishin Ina Zhupa dhe socialisti Erion Braçe.
“Ti mund të dukesh si ruse, por nuk je ruse”, tha Braçe.
“O Erion t’u rrit boja, sa shumë m… të ha goja. E meriton plotësisht”, u kundërpërgjigj Zhupa.
Kaq mjaftoi që temperaturat të rriteshin sërish në sallë. E teksa demokratët kërkuan nga kryetarja e Kuvendit që të mbante një qëndrim për fjalorin e përdorur nga Braçe, socialistët braktisën interpelancën e kërkuar nga demokratja Zhupa me Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Tv Klan