Politika të reja për punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit ka premtuar kryetari i PS Edi Rama gjatë ndalesës së tij në qytetin e Krujës në një takim për prezantimin e kandidatëve atje.
Duke kaluar përmes një prej simboleve të këtij qyteti siç është edhe Pazari i Vjetër, Rama ka zhvilluar takime të shkurtra me tregtarët të cilëve u ka premtuar për të tjera politika në mbrojtje të vlerave dhe të traditave kulturore e historike të këtij qyteti.
Nga takimi në Krujë Edi Rama përcolli edhe këtë mesazh për kundërshtarin e tij politik.
Edi Rama: “Figurat e mëdha të historisë Skënderbeu, Ismail Qemali, Bajram Curri, Fan Noli, të gjithë ata që e kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë dhe që janë një arsye për tu krenuar, janë njëkohësisht një arsye për t’u bashkuar që të gjithë në të njëjtin flamur, për të njëjtat ideale që nuk vjetrohen kurrë dhe me ide të reja drejt një Europe që është një ëndërr e vjetër shqiptare.”
Në takimin e zhvilluar në Fushë-Krujë Edi Rama u ndal tek politikat e punësimit që do të ndjekë PS në qeverisje.
Edi Rama: “Për një politikë të re që do të hapë vende të reja pune duke e nxitur prodhimin vendas. Për një politikë të re që do të transformojë fshatin për të mirë ushqyer çdo familje dhe çdo fëmijë të Shqipërisë. Për një politikë të re që do të rimëkëmbë arsimin për të aftësuar fëmijët tanë, fëmijët e socialistëve dhe demokratëve pa dallim, qytetarë të nesërm shqiptarë të BE-së. Për një politikë të re që do të rithemelojë shëndetësinë shqiptare për tu kujdesuar denjësisht për të gjithë të sëmurët dhe të moshuarit ndër ne. Duke e rikthyer shtetin në krye të detyrës dhe duke e çuar qeverinë pranë njerëzve kudo ku ata jetojnë.”
Rama gjatë fjalës së tij është ndalur edhe tek fakti pse qytetarët e Krujës duhet të votojnë PS-në. Që sipas tij do të bëjë të mundur ndryshimin rrënjësor të qeverisjes dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve të Shqipërisë.
Edi Rama: “Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni për të vetmen arsye se ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë djathtas në pushtet apo majtas në opozitën e opozitës ua kërkojnë të vetmen votë për të nxjerrë një gjysëm deputeti që pastaj ta nxjerrë mandatin e marrë nga ju në pazarin e vjetër të politikës së numrave dhe të interesave personale. Kurse unë ua kërkoj votën për të bërë një ndarje të prerë, një ndarje radikale, një ndarje përfundimtare me të shkuarën dhe me politikën e të shkuarës.”/tvklan.al