Anëtarët e asamblesë kombëtare te Partisë Socialiste akuzojnë kryetarin ne detyre Edi Rama se po personalizon partine.
Edlira Haxhiymeri dhe Elmaz Sherifi i referohen diskutimit ne kryesi dhe grup parlamentar mbi bojkot te kuvendit.
Kjo vendimmarrje qe sipas tyre i shkon për shtat politikes personale te Edi Ramës po përgatit ne fakt vetëvrasjen politike te partisë.
Edlira Haxhiymeri: “Nuk ka asnjë strategji të përcaktuar me afate dhe objektiva për bojkotin. Ajo që kërkohet është që kryetari ta përdorë parlamentin, grupin parlamentar për të siguruar mbrojtjen e nevojshme në këtë situatë. Mospjesëmarrja në parlament do të jetë një luftë e pabarabartë për faktin se një grupim prej 65 deputetësh nuk do të marrë pjesë. Kjo është tejet e rëndë për Partinë Socialiste. Ajo do të krijojë një precedent shumë të rëndë, i rikthehet një politike të vjetër”.
Elmaz Sherifi: “Në tërë historinë politike, në tërë doktrinën e institucioneve nuk mund të ketë vendimmarrje, të njihen vendimmarrje të tilla që nuk e njohin parlamentin, nuk e njohin legjitimitetin e tij, por kërkojmë t’i paraqesim disa kushte, të cilat duhet t’i vendosë ky parlament jo legjitim, pra kjo politike e paradokseve tregon që drejtimi politik në Partinë Socialiste tashmë është në nivelet më të ulëta”.
Këtu mbështeten dhe argumentet e zërave kundër kryetarit Rama ne parti se dhe kongresi i pritshëm do te jete një formalitet për të rikonfirmuar këtë të fundit ne detyre.
Edlira Haxhiymeri: “I shoh në pozita krejt të pabarabarta, nisur edhe nga fakti që kryetari në detyrë është duke ushtruar kompetenca jashtë statuore siç ishte për shembull drejtimi i mbledhjes apo thirrja e mbledhjes së kryesisë në mungesë të rivalit të tij në këtë garë është e qartë që gara për kryetarin e ri të Partisë Socialiste është e pabarabartë. Janë tejkaluar të gjitha hapësirat që krijon statuti, janë realizuar shkelje të papara ndonjëherë në historinë e Partisë Socialiste”.
Elmaz Sherifi: “Unë nuk dua të paragjykoj as zotin Lakrori. Është e drejta e tij të kandidojë, por të futesh në një garë politike për kryetar të kësaj force politike, të forcës më të madhe politike shqiptare do të thotë në radhë të parë të kesh edhe bashkëpunëtorët e tu. Këtë e them për faktin që ne duhet të heqim fasadat, fasadë kongreset, konkurrimet fasadë sepse nuk mund të presësh një konkurrim normal dhe një zgjedhje demokratike nga personi , i cili i ka prishur rregullat e lojës me synimin e vetëm që të jetë ai kryetari i përhershëm, pra të futesh në një garë të tillë kur dihet përfundimi mua nuk më duket shumë serioze.”
Zhvillimet post zgjedhore kane sjelle ne partine me te madhe në opozite krijimin e një linje te forte kundërshtarësh te Ramës ne parti.
Ata akuzojnë kryetarin në detyrë se po përmbys vendimmarrjen e institucioneve, si dhe po e fut partine ne krizën me te madhe qe ka patur kjo forcë politike qe prej krijimit te saj./tvklan.al