Delegacioni europarlamentar, që sapo është kthyer nga Shqipëria, konsideron se vendi ka përmbushur kushtet teknike për t’u futur në listën e bardhë të Shengenit dhe se Komisioni Evropian duhet të ndjekë anën teknike siç ka premtuar që në fillim.
Eduard Kukan: “Mund të them se ne jemi të impresionuar me instrumente teknike që janë të nevojshëm për heqjen e vizave afatshkurtra. Ne i kemi parë dhe çdo gjë po ecën siç duhet. Komisioni Evropian është shprehur që në fillim se ka vetëm kushte teknike dhe jo të tjera. Atëherë, nëse këto kushte teknike janë plotësuar unë jam në favor të heqjes së vizave.”
Erisa Zykaj: “Atëherë kur ju jeni të kënaqur me progresin, prisni që Komisioni Evropian të jetë pozitiv në vlerësim?”
Eduard Kukan: “Po, do të ishte e ndershme që kur kushtet që janë vënë për t’u plotësuar janë përmbushur, atëherë do shkohet përpara me procesin”.
Por edhe pse kushtet teknike janë përmbushur, klima politike duhet përmirësuar.
Jelko Kacin: “Ka shumë lloje progresi. Kushdo që vjen në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, është i impresionuar me progresin që ka bërë vendi. Kur flasim për kushtet teknike, për heqjen e vizave afatshkurtra, siç janë prodhimi i kartave të identitetit apo përmbushja e pasaportave biometrike rregullat e procedurat dhe gjithçka hapat që janë bërë janë impresionues. Është shumë evropiane, madje më shumë se standardet evropiane, por kur vjen puna te klima politike në parlament, ndryshon çështja. Teknikisht ju i përmbushni kushtet, po ku i dihet se kur do të hiqen vizat? Qytetarët shqiptarë duan heqjen e vizave tani. Pra, ka edhe një pjesë politike të procesit dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces. Ne po i kërkojmë Komisionit Evropian dhe këshillit të bëjë propozimin jo sa më shpejtë të jetë e mundur, por në fillim të pranverës. Fillimi i pranverës është tani, punë orësh. Duhet që klima politike në vend të përmirësohet sa më shpejt. Pranvera po vjen, dimri shkoi. Është vërtet momenti që të provohet se pranvera në Shqipëri do të jetë shumë më premtuese sesa dimri.”
Po kështu, në një deklaratë të përbashkët, deputetët e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Simon Busuttil, Tanja Fajon dhe Marije Cornelissen theksojnë se të gjitha përpjekjet për të bojkotuar punën e parlamentit në të ardhmen do të pengonin dhe vështirësonin ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Eurodeputetët u bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë të vazhdojnë përpjekje që zgjidhja të gjendet brenda institucioneve demokratike.
Këto institucione duhet të jenë funksionale në mënyrë që të përballojnë sfidat e integrimit evropian, thuhet në deklaratë, në të cilën më tej citohet se debatet politike duhet të bëhen në këto institucione, vendimet e të cilave duhet të respektohen nga të gjithë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle