Ekonomia greke ka hyrë në fazën e recensionit. Kështu kanë deklaruar analistët e ekonomisë, pak ditë pas publikimit të shifrave për ritmet e zhvillimit ekonomik, të cilat kanë rënë nën zero për këtë vit.

Sipas të dhënave zhvillimi ekonomik në tremujorin e dytë të këtij viti, ra në -0,2%, nga 3,4% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shkaqet për këtë rënie, sipas tyre janë ulja e ndjeshme e investimeve dhe eksporteve. Pritet që për të përballuar krizën, qeveria të japë rreth 2 miliardë euro, garanci për entet bankare që do të kreditojnë bizneset.

Këto shifra përgënjeshtrojnë përfundimisht parashikimet e qeverisë greke për dalje nga kriza ekonomike.

Ai që është më shqetësues është rritja e nivelit të papunësisë. Në harkun kohor të një viti listës së të papunëve iu shtuan 96 mijë persona, në një kohë që për muajt e parë të vitit 2010, parashikimet flasin se papunësia do të prekë rreth 10% të popullsisë aktive, por recensioni nuk ka goditur vetëm Greqinë.

Të përfshira nga kriza janë Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia apo dhe Kroacia. Beogradi zyrtar kërkoi nga FMN 3 miliardë euro kredi.

Qeveria tha se kjo shifër do të rrisë deficitin buxhetor të vendit me 4.5% të PBB. Në vitin 2008 ekonomia në Serbi ra me 3.5% dhe në vitin 2009 me 6%. Po kështu edhe Bosnje-Hercegovina kërkoi nga FMN 39 milionë euro, shumë kjo, që në një pjesë të mirë të saj të shpenzohet për ndërmarrjet e mesme, investimet në infrastrukturë dhe transport, mjedis dhe sektorin energjetik.

Në Kroaci deficiti buxhetor ka arritur në majat e tij, rreth 40 miliardë euro. Shumë prej analistëve dhanë alarmin se ndoshta në pak kohë, qeveria nuk do të ketë më para për të paguar punonjësit në administratë.

Po kështu, edhe Maqedonia po përjeton një rënia të madhe të prodhimit industrial në vend, pasi disa prej kompanive kanë ndërprerë aktivitetin e tyre për shkak të humbjeve të mëdha të shkaktuara nga rënia e çmimeve në tregjet botërorë.

Të ardhurat nga taksat shënuan një rënie me 20%, ndërkohë qeveria ne Tirane si dhe Banka Botërore kane pranuar se Shqipëria po vazhdon te ruaje një rritje ekonomike te qëndrueshme./tvklan.al