“Epiri i Veriut” është një term i vdekur dhe ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta ngjallin.”
Kjo deklaratë e Kryeministrit Edi Rama të dielën në takimin me emigrantët shqiptarë në Selanik duket se ka shqetësuar Athinën zyrtare. Zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis në një konferencë për shtyp këtë të hënë tha se Vorio Epiri mundet të mos ekzistojë, por ekziston minoriteti grek në Shqipëri, të drejtat e të cilit, ai nënvizoi se Athina i konsideron si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE.
Pavlos Marinakis – zëdhënës i Qeverisë së Greqisë: Mundet që për zotin Rama të mos ekzistojë Vorio Epiri, por besoj se është diçka e sigurt që ekziston, minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe të drejtat e tij. Respektimi i këtyre të drejtave dhe në përgjithësi respektimi i minoritetit kombëtar grek është një kusht thelbësor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ashtu siç e theksuan njëzëri 27 vendet e BE në mbledhjen e ministrave të jashtëm. Me pak fjalë, rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Athina, kalon nga Greqia dhe ka një parakusht të cilin askush nuk mund ta anashkalojë që është respektimi i minoritetit kombëtar grek në Shqipëri.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës greke duke i cilësuar provokime qëndrimet e Ramës në Selanik.
Thanos Plevris – deputet i “Nea Demokratia”: Këtë sjellje provokuese nuk mund ta anashkalojmë pasi ai e thotë diçka të tillë në brenda tokës Helene. Atëherë është e qartë se zoti Rama dëshiron të provokojë dhe ne duhet të përgjigjemi. Për ne, termi Vorio Epir është në shpirtrat tanë, në zemrën tonë dhe nëse zoti Rama thotë se është I vdekur, kjo do të thotë që e shqetëson, sepse e di që ato territore janë Vorio Epiri.
Giannis Sarakiotis – deputet i “Syriza”: Zoti Rama duhet të bëhet i vetëdijshëm që rruga e e Shqipërisë drejt integrimit në BE kalon nëpërmjet respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Epirin e Veriut.
Mediat greke shkruan se komentet e kryeministrit Rama për Vorio Epirin erdhën pas një proteste që disa ekstremistë të djathtë mbajtën kundër vizitës së tij në Selanik. Rama i quajti ata fantazma të së shkuarës që nuk ndihmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama: Kushdo që përdor këtë term kur flet për jugun e Shqipërisë, tregon se nuk dëshiron të jetojë në shekullin e 21-të. Ato janë fosile dhe turp. Kjo nuk është një arsye për të kultivuar ndjenja negative ndaj Greqisë.
Gazeta greke “Protothema” shkruan se ekstremistët grekë që protestuan, e akuzuan Kryeministrin Rama se “shteti shqiptar po shkel sistematikisht të drejtat e njeriut të minoritetit të njohur grek të Vorio-Epirit”, duke shprehur kështu qëndrim të njëjtë me Athinën zyrtare.
Tv Klan