Shqipëria ka kërcyer me 7 vende në renditjen e fundit të Bankës Botërore në raportin vjetor të bësh biznes. Ekspertët vendas të ekonomisë i komentojnë si pozitive vlerësimet mbi klimën e biznesit në vend të pasqyruara në këtë raport, jo vetëm për renditjen por edhe pasi janë siguruar në një vit krize globale ekonomiko financiare.

Ardian Civici: “Po ta analizojmë më në thellësi disa nga elementet e rëndësishëm që kanë të bëjnë me lehtësimin e funksionimit, hapjes së biznesit për herë të parë, apo qoftë edhe vetë për ligjin e falimentimit, nënkuptojmë që ka një progres përsa i përket funksionimit të biznesit në Shqipëri.”

Për ekspertët e ekonomisë pranë kryeministrit renditja e Shqipërisë në listën e Bankës Botërore të bësh biznes, mund të ishte akoma më e lartë nëse do të ishin përmbyllur edhe reformat ligjore të cilat nuk u miratuan në parlament për shkak të opozitës.

Suzana Guxholli: “Matësit kanë treguar që sektorët më të dukshëm të përmirësimeve në të bërit biznes në Shqipëri janë fillimi i biznesit, janë tregtia midis kufijve dhe mbyllja e biznesit. Në lidhje me treguesit e tjerë të cilët  nuk na dalin si shumë të përmirësuar, pavarësisht se ata janë të përmirësuar. Për fat të keq duke qenë se ishte edhe vit zgjedhor, opozita dhe në këtë rast minoi si të thuash ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe të performancës së saj dhe imazhit të saj në rang ndërkombëtar, duke mos votuar dhe duke mos rënë dakord për këto ligje.”

Zëvendës ministri i Financave, sqaron se niveli i taksave në Shqipëri është më i ulëti në kontinent teksa shkon në mesatarisht 12 %  të fitimit të realizuar nga biznesi.

Florion Mima: “Në qoftë se ne do ndërtonim një model tonin për Shqipërinë, pra kur të përfaqësohej dhe një ndërmarrje e vogël dhe e mesme në Shkodër dhe një tjetër në Skrapar, por edhe një tjetër në Durrës dhe ti përpunonim këto të dhëna. Treguesi që ne na rezulton si ministri Financash është rreth 12-13%, që është absolutisht ndër më të ulëtit në botë. Kuptohet Banka Botërore ka bërë një zgjedhje të sajën, merr këtë model uniformë dhe që punon për shumicën e vendeve me ndërmarrje të mëdha, por jo për vendet me prezencë të madhe ndërmarrjesh të vogla.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro