Ekspertët rikthejnë për diskutim çështjen e zgjedhjes së presidentit nga populli. Propozimin që kryetari i shtetit të zgjidhet në raundin e pestë të votimit me votat e më shumë se gjysmës së deputetëve të Kuvendit, për Rustem Gjatën eliminon krizat, por nuk duket të jetë një zgjidhje e plotë.

Rustem Gjata: “Mendoj se nuk e zgjidh problemin, vetëm sa thjeshton procedurën. Për vendin tonë do të ishte shumë mirë, këtë e kam thënë edhe në të kaluarën që presidenti të zgjidhej nga populli. Se ka një mendim për mua të gabuar që po të zgjidhet presidenti nga populli kemi republikë presidenciale, jo. Ajo varet se çfarë kompetence ka në thelb në këtë  kushtetutë ose në një kushtetutë tjetër presidenti.”

Madje Gent Ibrahimi, e sheh referendumin popullor, zgjidhjen më të ndershme sesa konsumimi i disa raundeve të votimit që gjithsesi i jep akses të plotë çdo mazhorance parlamentare, të zgjedhë vetë kryetarin e shtetit.

Gent Ibrahimi: “Absolutisht po, e eliminon krizën politike, por a fitojmë ne shqiptarët nga eliminimi i një krize politike të momentit apo humbasim nga zbrazja, nga denatyrimi i institucionit të presidentit që kemi sot. Për shembull ne e duam presidentin tonë që të na emërojë zyrtarët e natyrisht gjyqtarët i duam të pavarur, nuk i duam të jenë të PD apo PS, të na emërojë prokurorët, gjeneralët, ambasadorët e kështu me radhë. Këto kategori funksionarësh i duam mundësisht të jenë profesional dhe jo politik, për këtë arsye këto kompetenca dhe disa të tjera të këtij lloji i janë lënë presidentit. Pra zgjidhja nga populli është të paktën më e ndershme në kuptimin e qëllimeve të atyre që propozojmë.”

Ibrahimi dhe Gjata komentojnë dhe propozimet që lidhen me ndryshimin e kompetencat e kryeministrit dhe presidentit të republikës.

Rustem Gjata: “Presidenti në bazë të Kushtetutës nuk mban përgjegjësi për aktet që nxjerr. Ne kemi nevojë për që ministrat të vihen para një përgjegjësie më të madhe. Si jurist do ta shikoja në një shtim përgjegjësie të kryeministrit që nesër në qoftë se një dekret i tillë do të kishte pasoja negative, në radhë të parë përgjigjet ministri se ai preket.”

Gent Ibrahimi: “Në qoftë se do të përdorja një fjali të vetme për ta etiketuar atë çka përmban propozimi i mazhorancës, do të thosha që është një përpjekje për të theksuar pushtetin e ekzekutivit në raport me degë e tjera të pushtetit.”


Ajo çfarë duket bashkon ekspertët në një pikë është kundërshtimi i prirjeve politike që krizat e herëpashershme të saj kërkon t’i zgjidhë me ndryshime të ligjit themelor./tvklan.al

Gazetare: Menda Zaimi