Lajme Arkiva 2003
Gazmend Tahirllari i cili humbi jetën si pasojë e rrahjes nga policia sipas familjarëve të tij ka pasur shenja të dukshme dhune në trup. Kjo konfirmohet edhe nga ekspertët mjekoligjor të pranishëm në zhvarrosjen e kufomës dy ditë më parë në fshatin Goskovë. Ndonëse ende nuk është publikuar qëndrimi zyrtar për këtë çështje shefi i shërbimit të mjekësisë ligjore profesor doktor Sokrat Meksi, i cili ka kryesuar grupin e ekspertëve nga Tirana konfirmon se viktima është dhunuar.
Sokrat Meksi: Sigurisht veprimet hetimore që pasuan indirekt tregojnë që kishte shenja dhune të një natyre specifike në kuptimin e kapjes nga pikëpamja mjekoligjore, bile këto shenja janë konstatuar edhe në autopsinë e parë. Morëm edhe disa kampione, kryesisht pjesë indesh nga masa trunore, gjak, në mënyrë që të bëjmë disa analiza të mëtejshme gjithmonë në drejtim të një verifikimi dhe të një rikonfimrimi sa më shkencor. Masat që mori policia e rendit ndaj punonjësve të grupit të gatshëm të policisë së Korçës erdhën pikërisht pas zhvarrosjes së viktimës Gazmend Tahirllari.
Në drejtorinë e policisë së Korçës janë vetëdorëzuar tre efektiva që akuzohen për rrahjen për vdekje të shtetasit Gazmend Tahirllari na fshatin Korskovë të Korçës, Sokol Gurishta, Dashnor Ganolli dhe Robert Qyli. Gjykata mori ndaj tyre masën e sigurisë me burg pa afat.
Tashmë çështja po hetohet nën kujdesin e Prokurorisë së Përgjithshme. Pritet që në masën ndëshkuese për këtë rast të mos jenë vetëm punonjësit e grupit të gatshëm.
Në përfundim të ekspertizës nuk përjashtohet të merren masa edhe ndaj mjekëve të spitalit të Korçës, nëse vërtetohet nga krahasimi i dy ekspertizave se në atë të kryer në kryeqytet nuk është thënë e vërteta.
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë vetë në morgun e Tiranës ku janë interesuar për rezultatet e ekspertizës përfundimtare./tvklan.al