Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë. Mësohet se ky lokal është në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i cili u ekzekutua me armë zjarri në Maj të 2021.
Si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Mësohet se autori, i cili ka qenë i maskuar, ka vendosur eksploziv me fitil dhe pasi e ka ndezur, ai është larguar mes pallateve në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Lokali ishte hapur vetëm pak ditë më parë pasi kishte qenë i mbyllur për një kohë të gjatë.
Bledar Birçaj u qëllua me kallashnikov teksa po lëvizte me automjetin e tij “BMW X5″ në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit, ngjarje e ndodhur në 10 maj 2021.
Klan News