Kjo dhomë një ansambël i tërë krijimesh e ngjyrash të krijon  ndjesinë e një begatie që e ndesh nëpër dyqanet e corave të mrekullueshme arabe. Dhoma e ngjyrosjes e kanë pagëzuar të 20 studentët e Atelie e Modës dhe Tekstilit, të drejtuar nga pedagogia e tyre Najada Hamza. Të cilët prezantuan në galerinë Fab të Akademisë së Arteve krijimet e tyre të fundvitit.

Këtu gjejmë propozime mode të studentëve, materiale, prerje e stile të veçanta. Diku skulptura të buta të varura që artistikisht të japin idenë e një objekti të përditshëm.

Najada Hamza: “Ky vit e paraqet atelierin e tekstilit dhe të modës në një koncept të plotë. Kjo ekspozitë më shumë se sa punët individuale të çdo studenti tregon të tërën. Tregon gjithë procesin, gjithë udhëtimin që ne kemi bërë nga fillimi i vitit dhe deri në paraqitjen e këtyre rezultateve. Tek këto punë në fakt unë veçoj dialogun që kam patur me gjithë studentët e mi, veçoj përkushtimin e tyre, veçoj dashurinë e tyre dhe këmbënguljen për të arritur në rezultate që janë rezultate pasionante dhe rezultate mjaft cilësore.”

Në udhëtimin e tyre studentët e atelierit e modës dhe tekstilit prezantojnë edhe instilacione printim, bizhu të krijuara nga vetë ata. Aksesorë që krijojnë një figuracion të admirueshëm për syrin e shumëkujt. Madje të joshin edhe për t’i patur.

Madje këtu mund të gjejmë një propozim joshës për dikë të dhënë pas kravatave të modës, por jo vetëm këtu pasi e tërë ekspozita dëshmon përpjekjen e të gjithëve për të arritur një të tërë, Ansamblin artistik të modës e tekstilit./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani