“Ka qenë ora 19:00 e mbrëmjes e kësaj të hëne kur kontingjenti i dytë i refugjatëve të mbërritur në vendin tonë u nisën drejt Italisë nga porti i Shëngjinit. Largimi i tyre erdhi pas vendimit të dhënë nga gjykata italiane”, raporton gazetari Martin Marku.
Ky vendim ishte i pritshëm, pasi autoritetet italiane ishin organizuar më herët nga ana logjistike për t’i larguar nga Gjadri dhe për t’i zhvendosur drejt Puljas të Italisë 7 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti nëpërmjet anijes Visali të Rojës Bregdetare.
Në vendimin e saj Gjykata e Romës e pezulloi masën e vlefshmërisë së dërgimit të 7 azilkërkuesve në Gjadër, pasi policia italiane sipas ligjit nuk nxori brenda 48 orëve konfirmimin e këtyre ndalimeve.
Njëherësh kjo gjykatë dërgoi për interpretim në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian dekretin që qeveria Meloni nxori për ripërcaktimin e vendeve të sigurta.
“Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurt të origjinës përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, pa cenuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht – si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik – zbatimin korrekt të së drejtës së Unionit, e cila prevalon mbi ligjin kombëtar kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”.
Ky është vendimi i dytë i po kësaj gjykate kundër qeverisë Meloni, pas atij të 18 tetorit ku urdhëroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve të parë të mbërritur në Shqipëri, sipas marrëveshjes së firmosur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane vitin e shkuar.
Për këtë vendimin reaguan zv/kryeministrat Salvini dhe Tajani, duke deklaruar se gjyqtarët po imponojnë linjën politike të qeverisë, në dëm të sigurisë e ndaj italianëve dhe se qeveria e parlamenti do të reagojnë. Teksa ministria e Brendshme njoftoi se do të kundërshtojë edhe ajo në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë vendimet e gjyqësorit italian.
Tv Klan