Kompanitë private që përfitojnë fonde publike për projekte të ndryshme për herë të parë do të vlerësohen edhe në bazë të angazhimit të tyre për punësimin e personave të papunë.
Për këtë është nënshkruar këtë të mërkurë një marrëveshje e posaçme mes Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit.
“Është një iniciativë sociale që mundëson si nxitjen e punësimit dhe uljen e papunësisë si dhe zhvillimin rajonal në ata rajone ku kryehet investimi”, tha Klevis Hysa, drejtor i agjencisë Kombëtare të Punësimit.
Ky kriter nuk do të jetë detyrues, por do të ndikojë në vlerësimin e ofertave, duke u dhënë avantazh bizneseve që përfshijnë në projekte më shumë individë të regjistruar si të papunë.
“Do ketë një sistem pikëzimi dhe do të kualifikohet ai operator që do të ketë më shumë integrim nga tregu informal i individëve qw sot ndodhen papunë. Kjo marrëveshje synon që të mundësojë integrimin e një tregu formal për punëkërkuesit papunë”, shprehet drejtorja e operatorit të blerjeve të përqëndruara, Arlinda Pogaj.
Një vit më parë, më shumë se 300 kompani kanë fituar garat në prokurimet e zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të përqëndruara.Kjo iniciativë sociale mundëson nxitjen e punësimit, uljen e papunësisë po ashtu edhe zhvillimin rajonal në ato zona ku kryhet investimi.
“Kjo marrëveshje synon t’i japë një avantazh krahasues punësimit të punëkërkuesve të papunë në punët publike që bëhen, duke vendosur kritere të posaçme për prokurimin, është një mundësi e mirë për grupet e margjinalizuara..në rajonin ku punon”, shprehet Klevis Hysa, drejtor i agjencisë Kombëtare të Punësimit.
Aktualisht janë rreth 70 mijë punëkërkues të papunë të regjistruar.
Tv Klan