Mbeten mister shkaqet e sulmit me armë të së martës në një shkollë nate Orebro të Suedisë, ku një 35-vjeçar qëlloi për vdekje 10 persona dhe u vetëvra në vendin e ngjarjes.
Hetuesit hodhën poshtë mundësinë që autori të jetë nisur nga motive “ideologjike” për kryerjen e sulmit. Sipas tyre, ai ka vepruar i vetëm. Të afërmit e tij thanë për mediat se autori ka qenë në një moment të vështirë të jetës së vet, ka qenë i papunë, i mbyllur në vetvete, jetonte larg familjes së tij dhe kishte probleme me shëndetin mendor.
Kryeministri suedez Ulf Kristenson e konsideroi sulmin me armë si më të rëndin në historinë e vendit.
Pranë shkollës janë vendosur qirinj dhe lule. Flamujt në ndërtesat zyrtare në Orebro, rreth 200 km në perëndim të Stokholmit, si dhe në parlamentin suedez u ulën në gjysmështizë në shenjë respekti dhe zie.
Qendra arsimore ku ndodhi ngjarja ndihmon personat mbi 20 vjeç. Ajo ofron mësime të arsimit fillor dhe të mesëm për emigrantët e huaj dhe për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.
Tv Klan