Qeveria italiane vendos të vazhdojë me dërgimin e azilkërkuesve të refuzuar drejt kampit të Gjadrit. Kryeministrja Giorgia Meloni zhvilloi pasditen e kësaj të Hëne një mbledhje me ministrat përgjegjës, ku u ra dakord që të ecet përpara me zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë, siç thuhet edhe në këtë deklaratë për media të shpërndarë pas takimit.

Në mbledhje morën pjesë ministri i Brendshëm, ai i Mbrojtjes dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani. Mediat italiane thanë më herët se dërgimi i azilkërkuesve të refuzuar mund të rinisë që në Janar të vitit tjetër.

Planin për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë, kabineti i Giorgia Meloni-t e bazon tek vendimi i Gjykatës së Lartë i 19 Dhjetorit ku thuhej se është e drejtë e qeverisë për të përcaktuar listën e vendeve të sigurta të origjinës. Ndërsa gjykatësit mund të ndërhyjnë në çështje individuale në lidhje me këto lista, por jo t’i zhbëjnë ato.

Ndërsa, opozita italiane e lexon ndryshe vendimin, si në favor të Gjykatës së Romës, që urdhëroi dy herë kthimin e azilkërkuesve të refuzuar të dërguar në kampin e Shqipërisë me anijen Libra, një herë para dhe një herë pas shpalljes së listës së vendeve të sigurta të origjinës nga qeveria. Gjykata e Romës ka kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriut për vendet e sigurta të origjinës.

Ndërsa qeveria i pret përgjigje të tjera nga Gjykata e Lartë për të dyja këto vendime të gjykatësve të Romës, që kthyen dy herë anijen Libra. Në fillim të vitit të ardhshëm, Bashkimi Europian do të hartojë një listë vendesh të sigurta origjine që pritet t’i japë zgjidhje një herë e mirë kësaj çështjeje.

Tv Klan