Kryeministri Edi Rama nga Berlini gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Reuters tha se Europa duhet të bashkohet dhe t’i japë zgjidhje çështjes së emigrantëve sa nuk është vonë.
Ndërsa solli në vëmendje marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë, kreu i qeverisë mohoi që Shqiperia mund të bëjë marrëveshje me Gjermaninë, por tha se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shihen si një zgjdhje për këtë fenomen.
“Është një fenomen me të cilin Evropa do të duhet të merret dhe më mirë shpejt se vonë. Duhet të kemi një politikë të përbashkët dhe të kemi një strategji të përbashkët dhe një plan të përbashkët dhe të mos lejojmë që kjo çështje të bëhet çështja e përditshme e nxitjes së frikës në çdo vend për të marrë më shumë vota, e frikësimit të njerëzve për të huajt, e hapjes së ndarjeve mes të bardhëve dhe zinjve dhe myslimanëve e të krishterëve, që nuk thuhen në mënyrë eksplicite, por janë në nëntokë dhe janë vërtet, vërtet shumë të dëmshme për Evropën. Gjermania duhet të gjejë partnerin tjetër, sepse Shqipëria ka lidhje me Italinë dhe Shqipëria nuk mund ta bëjë këtë me të gjithë, ndërsa të tjerët mund të përfshihen. Dhe nëse Gjermania gjen një partner tjetër në rajon, do të ishte mirë të shihej nëse kjo funksionon në të njëjtën mënyrë. Sepse përsëri po e përsëris është gjeografia pra, ajo që do të ndodhë me këta refugjatë apo azilkërkues apo çfarëdo qoftë, është se ata nuk do të ndalen në bregun e Italisë, por do të vazhdojnë të ndalen në bregun e Shqipërisë mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit, dhe duke kuptuar sërish se Ballkani është një vend vërtet shumë strategjik, shumë i rëndësishëm në atë që mund të bëhet diçka krejtësisht ndryshe.”
Kryeministri Rama u tha gazetarëve të “Reuters” se në 2025 do të rikandidojë për një mandat të 4-ërt për drejtimin e qeverisë, pasi ka ende projekte të papërfunduara.
“Unë besoj se duhet të rikandidoj sepse ka punë për të përfunduar. Dhe në këto tre mandate, ne kemi bërë gjëra të mahnitshme. Shqipëria ishte vetëm një lajm i keq dhe tani kemi kapërcyer tavanin e 10 milionë turistëve në një vend ku turizmi ishte një ide e mirë dhe nuk ishte realiteti. Por kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka probleme me korrupsionin dhe me të tjera gjëra për t’u trajtuar në çdo sektor. Kjo fazë e luftës kundër korrupsionit duhet të bëhet e pakthyeshme. Pra, me synimin e mundshëm për të parë veten duke ngritur flamurin në Bruksel brenda kësaj dekade. Kështu që ia vlen të kandidoj për një mandat tjetër, njerëzit do të vendosin.”
Shqipërinë e sheh pjesë të BE-së brenda 2030 ndaj synon që të përmbushë të gjitha reformat e nevojshme brenda afatit.
“Mundësia është tani më shumë se kurrë. Kështu që synimi ynë gjithsesi është që ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar, të bëjmë detyrat e shtëpisë, duke përfshirë të gjitha reformat e ndërtimit të institucioneve, të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet brenda vitit 2030.”
Ai foli edhe procesin e Berlinit që pritet të mbahet të hënën me liderët e rajonit në Gjermani. Rama tha se pritet të forcohet edhe më shumë lidhja ekonomike mes vendeve përpara se te integrohen në BE, proces që synon mbajtjen e këtyre vendeve në rrugën e duhur.
Klan News