Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mbrëmë emisari serb për Kosovën Nebojsha Çoviç, i ka deklaruar agjencisë BETA, se nëse kosovarët do të shpallin pavarësinë e tyre, do të ketë luftë në Kosovë. Le të shpallin Pavarësinë e Kosovës, ai i cili do ta bëjë këtë, do të marrë përgjegjësi për konfliktin, sepse ne atëherë duhet të reagojmë, të mbrojmë territorin dhe popullin tonë. Dua t’ia bëjë me dije dhe bashkësisë ndërkombëtare, se ne do ta mbrojmë territorin tonë, ka cituar ndër të tjera Nebojsha Çoviç.

Për Ramadan Avdiun, këshilltar i kryeministrit, deklarata e Nebojsha Çoviçit vjen pas ngjarjeve të krijuara në Serbi, të cilave iu parapriu vrasja e kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç. Lufta ka përfunduar dhe nuk mund të ketë konflikt të ri në Kosovë ka vlerësuar Avdiu.

Ramadan Avdiu:- “Lufta në Kosovë ka përfunduar dhe ka përfunduar me disfatën e luftës me përmasa shkatërrimtare, genocidale, me disfatën e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb, kështu që kanë triumfuar vlerat e demokracisë të paqes dhe tani ne jemi duke ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe nuk mund të pretendohet se do të ketë një luftë të re në Kosovë”.

Deklarata e Çoviçit është bërë me prapavijë politike, e cila ka për qëllim ndikimin e zyrtarëve serb, për të krijuar besueshmëri në popullatën serbe pas gjendjes së krijuar atje, ka vlerësuar Avdiu.

Deklaratën befasuese të emisarit Çoviç, e forcon edhe më tej Rada Trajkoviç, e cila ka paralajmëruar protestë të serbëve të Kosovës. Ndërkohë që Rada Trajkoviç nga koalicioni Kthimi, ka akuzuar kryeadministratorin Shtajner, për politikën e tij ndaj Kosovës. Për zyrtarët e UMNIK-ut deklarata e Nebojsha Çoviç nuk është e një rëndësie të veçantë./tvklan.al