“Lider” reality show politik që sjell për herë të parë në ekranet shqiptare një format krejtësisht unik, vjen mbrëmjen e sotme në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan.
64 aplikantë përzgjedhur nga audicioni i parë, do të shfaqin përpara teleshikuesve bindjet e tyre politike, zgjidhjet që ata u japin problemeve të shumta të realitetit shqiptar.
Edhe pse janë të rinj ata janë origjinal në zgjedhjet që ofrojnë, për 4 javë me radhë në këtë fazë të dytë publiku do të ndjekë nga afër 8 konkurrentë për çdo të shtunë dhe të diel në orën 20. Gjatë provave të përgjithshme për emisionin e mbrëmjes së të shtunës në Klan mundëm të shkëpusim mendimet e disa prej konkurrentëve të mbrëmjes së parë.
Griselda Qosja është vetëm 17 vjeç, ajo vjen nga qyteti i Elbasanit, me shpresën për të ndryshuar në politikën shqiptare pozicionin e gruas. Ajo flet bukur, zotëron shumë mirë disa gjuhë të huaja, është e apasionuar veçanërisht pas Letërsisë dhe Filozofisë. Si një përkrahëse e neoliberalizmit, Griselda kërkon të sjellë në politikën shqiptare një frymë të re.
Griselda Qosja: “Është interesante në një farë mënyrë të shkëmbeje mendimet dhe idetë për atë çka mendoja mbi statuskuon politike, statuskuon sociale të vendit tonë.”
Ylli Latifi është një repist shumë i njohur në Kosovë, ai ka nënshtetësi angleze dhe shqiptare, flet shumë mirë shqip dhe anglisht në të njëjtën kohë. Ylli vazhdon studimet në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Pas eksperiencave si lider në debate politike në Kosovë, ai vjen pikërisht në “Lider” për të dhënë eksperiencën e tij.
Ylli Latifi: “Vendosa që ta prek sektorin e agrikulturës pasi është lënë shumë anash edhe nuk askush se çfarë bëhet me të dhe duhet që shteti shqiptar t’i stimulojë fermerët në mënyra të ndryshme, t’u jepen benefite këtyre fermerëve që të punojnë në të ardhmen dhe që të prodhohet prej shtetit shqiptar.”
Por ka edhe nga ata të rinj që kanë një mënyrë krejt të veçantë për të shprehur pikëpamjet e tyre mbi aktualitetin politik, social dhe ekonomik të vendit, siç është rasti i Alfred Cohës.
Drejtori i editorial Mentor Nazarko flet për këto prurje mjaft interesante.
Mentor Nazarko: “Formula e përzgjedhur, mesazhet që janë lëshuar në fushatën paraprijëse të këtij emisioni kanë shërbyer si magnet për djem dhe vajza ambicion, për djem dhe vajza që artikulohen shkëlqyeshëm, për djem dhe vajza që ofrojnë një pasuri karakteresh, që përfaqësojnë në mënyrë të shkëlqyer shqiptarët ngado që vijnë nga Kosova, Maqedonia apo nga viset tjera. Në njëfarë mënyre besoj që do të arrijmë të japim që më emisionin e parë publikut një ansambël figurash interesante.”
Pjesë e panelit të jurisë mbrëmjen e sotme do të jenë edhe Ulpiana Lama konsulente, Sonila Meço gazetare, Belina Budini pedagoge dhe Olsi Dekovi drejtor i shkollës politike pranë Këshillit të Europës./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini