Një intervistë e gjatë deri në kufijtë e 5 orëve, një rrëfim për jetën personale dhe publike të një prej personaliteteve më të rëndësishëm të vendit si Fatos Nano, mbrëmjen e së enjtes shënoi pjesën e dytë dhe të fundit.

Një rrëfim, i cili risolli edhe njëherë vëmendjen në një formë më të plotë për momentet më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar jeta e këtij njeriu. Nano vetë pranon se të pa priturat asnjëherë nuk do të mungojnë.

Këndvështrimi i tij për marrëdhëniet ndër njerëzore, formimin e personaliteteve, depërtimin në politikë, ekuilibrat e duhur në momentet vendimtare që kanë shënjuar të ardhmen të vendit, baticat dhe zbaticat e këtij personazhi kaq kompleks, për të cilat ai argumenton se ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i pranishëm në politikë.

Si një prej dy njerëzve më të rëndësishëm në Shqipëri, veç kryeministrit aktual Sali Berisha, ai shpjegon filozofinë dhe strategjinë e tij politike.

Fatos Nano: “Për mua politika është pjesëmarrje, është kompromis, është debat paqësor mbi bazë principesh dhe programesh dhe sigurisht është lojë me ekipe, të cilat sipas rreshtimeve duan kohë të krijohen dhe në të kundërtën është gjëja më e pa përgjegjshme dhe më e kollajshme të shkatërrohet.”

Nano zbulon  se ka investuar shumë për të krijuar figura politike, për të mbështetur talente dhe të rinj që i kanë hyrë politikës me kurajë dhe me më shumë kulturë se sa ata që hyjnë në fillim të viteve 90.

Fatos Nano: “Nuk jam i zhgënjyer nga gjithë ky investim sepse në PS në rrethet e bashkëpunëtorëve të mi politik dhe bashkëqeverisës. Ka mjaft figura të spikatura që edhe sot ndoshta vuajnë nga të njëjtat sëmundje të politikës shqiptare, apo sot lëngojnë më shumë në peshën e autoritarizmit të rivendosur edhe në PS.”

E konsideron një mundësi të pamundur mbylljen e dyerve të tij në PS. Ndonëse ajo çka në të vërtetë është hermetike lidhet me strukturën e komunikimit të partisë apo të udhëheqjes me militantët apo anëtarët. Nano është i sigurt se ka ardhur koha e një ere të re në PS.

Fatos Nano: “Nuk ka nevojë të bëhen më eksperimente të rrezikshme dhe aventureske si ky i fundit. Besoj se PS-ja ka bartësit dhe ekipet e vlerave që kemi krijuar së bashku në 15 vjet zhvillime demokratike, me të cilat mund të rindërtohet sërish gjithçka që pret Shqipëria dhe e majta prej socialistëve.”

Në këtë rrëfim i cili është ndër më të rëndësishmit qysh nga fillimi i jetës së tij publike, biseda kaloi sa tek aktualiteti politik e shoqëror, deri tek momentet historike të karrierës së tij politike.

Vlen të përmendet takimi kokë më kokë me Millosheviccin në vitin 1997, për të cilin Nano mendon se ishte një bashkëbisedues i vështirë, një prototip i kasës së vjetër autoritariste dhe bolshevike.

Fatos Nano: “Zoti Milloshevicc, unë po ju përcjell mesazhet e të gjithë aleatëve perëndimor që po angazhohen me kapërcimin e pasojave të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe me ndalimin e gjenocidit dhe të luftërave që ju keni shkaktuar, por në qoftë se ju nuk e kuptoni këtë gjë, të jeni i sigurt që shumë shpejt do të vijë dikush tjetër pas jush. Serbia nuk mund të mbetet e izoluar nga rrethimi demokratik i botës moderne dhe ai do të veprojë në tjetër mënyrë.”

Nano beson se marrëdhënia e tij me Berishën gjatë këtyre 20 viteve të fundit mund të kishte evituar shumë gjëra, në përplasjen dhe në pasojat negative që kanë sjellë konflikte të ashpra të politikës shqiptare mbi zhvillimin e ekonomisë dhe ritmin e hapjes dhe të integrimit me botën.

Fatos Nano: “Natyrisht kur politika dhe zhvillimi politik i një vendi personalizohet në dy emra bien protagonistët e tjerë. Por shpesh edhe unë, besoj edhe Berisha na është dashur të mbajmë mbi kurriz kostot e të tjerëve, kostot e ekipeve, kosto të aventurierëve që jo gjithmonë është e mundur të kontrollohen nga liderat në kushte demokratike.”

Nano deklaron se asnjëherë nuk ka ndërprerë kontaktet me figurat kryesore të PS-së, por sa kaq është i bindur se ka ardhur koha për një erë të re në partinë e tij.

Fatos Nano: “PS-ja me këtë personalizim të pushtetit dhe të veprimit politik që ka krijuar konfliktin e sotëm nuk mund të ketë frymëmarrje dhe perspektivë për tu rikthyer në një forcë kontribuuese të zhvillimit demokratik dhe qeverisjes së vendit.”

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse kjo intervistë mund të konsiderohej nga disa si një testament, në njëfarë mase dhe një lamtumirë e jetës politike të Fatos Nanos, ai shton se publiku duhet të jetë i sigurt se do të takohemi shumë shpejt, qoftë edhe nëpërmjet studios së Opinionit.

Fatos Nano: “Unë aty jam dhe natyrisht prisni të papriturën e radhës.”/tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo