Protesta masive para institucioneve shtetërore, formim të akademisë paralele shqiptare në Maqedoni dhe fushatë në shkolla për vetëdijesimin e nxënësve shqiptarë për të pavërtetat historike që shprehin akademikët maqedonas.

Këto janë vetëm disa nga aktivitetet që i ka paralajmëruar lëvizja qytetare “Zgjohu” nga Shkupi në rast se Akademia maqedonase e Shkencave dhe e Arteve nuk e tërheqin enciklopedinë e botuar javën e kaluar.

Kërkesat e këtilla “Zgjohu” i ka prezantuar në press konferencë të organizuar në formë të protestës.

Press konferenca është zhvilluar para Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve apo siç e kanë quajtur organizatorët, para vendit të krimit.

“Ne të gjithë së bashku do të shqyrtojmë mundësi të tjera në të ardhmen e afërt që mund të përfshihen edhe ngritjen e padisë penale për nxitjen e urrejtjes etnike, në ngritjen e padisë për shpifje, shqyrtimin e mundësisë për themelimin e akademisë së shqiptarëve në Maqedoni, shkrimin e një enciklopedie të mirëfilltë nga Akademia Shqiptare dhe organizimin e protestave të njëpasnjëshme, fushatë në të gjitha shkollat e mesme dhe fillore shqiptare për publikimin e njësive mësimore që në mënyrë të njëanshme falsifikojnë historinë.”

Gjatë press konferencës pjesëtarët e “Zgjohu” kanë mbajtur pankarta me mbishkrime: “Jemi këtu 2500 vite para erës sonë”, “Jemi këtu den baba den”, si dhe pankarta në të cilën akademinë maqedonase e kanë krahasuar me akademinë serbe.

Kërkesa për tërheqjen e enciklopedisë maqedonase është përkrahur edhe nga partitë politike shqiptare në Maqedoni.

“Këshilli redaktues, këshilli botues i kësaj gënjeshtre të mbështjellë me koopertinat e enciklopedisë t’iu kërkojë falje shqiptarëve, t’iu kërkojë falje miqve tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe dhe urgjentisht të tërhiqet ky botim skandaloz, i cili rrezikon të merr përmasa të konfliktit rajonal”.

“Kjo e rrezikon kështu te them paqen dhe stabilitetin në Maqedoni, e rrezikon bashkëjetesën, po e rrezikon edhe të qenurit të Maqedonisë si shtet.”

“Të tërhiqet kjo enciklopedi, e cila me këtë botim përfundimisht bëri që të humbet edhe populli i fundit në regjion me të cilin maqedonasit kanë relacione të mira”.

Përmbajtja e kësaj enciklopedie ka marrë edhe konotacion politik. Marrim vesh se kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është duke bërë presion të vazhdueshëm ndaj partnerit të koalicionit kryeministrit Nikola Gruevski duke kërkuar që qeveria të distancohet nga kjo enciklopedi.

Ahmeti kërkon nga Gruevski formimin e një grupi tjetër shkencëtarësh që do të përgatisë një enciklopedi të re të bazuar në faktet historike. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu