Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Arbën Xhaferri, nuk është çuditur aspak me veprimet e fundit të maqedonëve në lidhje me enciklopedinë e botuar ditëve të fundit.

Arbën Xhaferri: “Nuk është ky rasti i ri që duhet të na befasojë, por është një rast i vjetër për ta përcjellë dhe përmbajtjen.”

Sipas Xhaferrit shqiptarët nuk duhet të provokohen nga paraqitja e këtyre koncepteve.

Arbën Xhaferri: “Por duhet të vazhdojnë punën e tyre të rregullt në zbulimin e të vërtetës. Në të thuhet çka është e vërteta lidhur me historinë maqedonase dhe me etnogjenezën e tyre. Ne nuk kemi nevojë që të hyjmë në një luftë propaganduese me të, por duhet të kemi produksion shkencor që zbulon të vërtetën”.

Ky ish-politikan mendon se Maqedonisë duhet t’i jepet një mësim i mirë në mënyrë që sjelljet e këtij shteti ndaj shqiptarëve të ndryshojnë.

Reagimin e akademive shqiptare të shkencave nëpërmjet komunikatave që shkruhen për 15 minuta nuk e sheh si të duhur.

Arbën Xhaferri: “Ne nuk mund të kënaqemi me komunikata që hartohen për 15 minuta dhe përmban mesazhin e indinjatës së shqiptarëve prej maqedonasve. Unë mendoj se maqedonasit duhet të marrin një leksion të fuqishëm dhe vetëm atëherë do të kenë kujdes se si sillen ndaj shqiptarëve dhe interesit të tyre në këtë hapësirë”.

Me enciklopedinë e botuar para disa ditëve nga ana e akademisë maqedonase të shkencave thuhet se shqiptarët nuk janë popull etnik, por ardhacak që populluan Maqedoninë pas shekullit të 16.

Aty përdoren edhe terma të ndryshme fyese për shqiptarët si arnaut, shqiptari malok e kështu me radhë./tvklan.al