Programi “Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën me gazetarin Enkel Demi. Ai foli për jetën e tij profesionale dhe atë private.

Gazetari u shpreh se ndihet i bekuar nga Pernëndia për familjen që ka. Në lidhje me bashkëshorten e tij, politikanen Mesila Doda, shprehet se është një njeri i vendosur dhe shumë shpesh i thotë gjërat ashtu siç i mendon dhe kjo ka krijuar herë pas here një imazh jo të mirë për të në publik.

Mirela Milori: Flasim pak për familjen tënde.

Enkel Demi: Ne jemi shumë të lidhur më njëri tjetrin, edhe sot e kësaj dite vazhdojmë dhe rrimë bashkë, jetojmë dhe rrimë të gjithë bashkë. Bashkë me ne është dhe nëna ime, domethënë jemi 5 veta në shtëpi, që jetojmë të gjithë dhe jemi goxha të lidhur. Njëherë në ditë jemi të gjithë bashkë.

Mirela Milori: Ti dhe Mesila hyni tek ata çifte që jeni rritur në sytë e publikut, keni 20 e ca vite bashkë. Çfarë bilanci bën?

Enkel Demi: Jam njeri i bekuar nga Perëndia, ku ka më mirë se kaq domethënë. Unë ndihem njeri me shumë fat. Pavarësisht se si ka shkuar rrugëtimi ynë në jetë, mendoj që jemi në një fazë të jetës që mund të na shkojë dhe fjala lumturi.

Mirela Milori: Njerëzit mendojnë që Mesila është një grua e fortë në shtëpinë tuaj?

Enkel Demi: Jo, Mesila është njeri i vendosur dhe shumë shpesh i thotë gjëart ashtu siç i mendon dhe kjo ka krijuar herë pas here një imazh jo të mirë për të. Sikur ajo është një grua e fortë, e rreptë, sikur gjithë ditën grindet edhe gjëra të kësaj natyre. Është krejt e kundërta, është një njeri shumë sentimental si natyrë, gatuan shumë mirë, bën punë shtëpie, është me një sens humori të jashtëzakonshëm. Megjithatë për disa njerëz nuk ka arritur dot ta përcjellë, edhe për faktin se në disa momente të forta politike, ajo ka qenë e pranishme në studiot televizive dhe ka mbajtur ca qëndrime, që njerëzit mund t’i kenë ndarë më dysh.

Mirela Milori: Tek e fundit ashtu e mendon dhe ashtu e thotë!

Enkel Demi: Është e ndershme dhe unë nuk do t’ja kërkoja kurrë që të bënte të kundërtën e asaj. Ajo ashtu është, domethënë është shumë e ndershme në atë që thotë, domethënë e beson atë që thotë, nuk thotë një gjë që nuk e beson. /tvklan.al