Ekonomia shqiptare nuk është prekur dhe nuk do të preket nga kriza ekonomike, por ajo do të ndikohet prej saj.
Kjo ka qenë deklarata e zv/Ministrit të Ekonomisë, Eno Bozdo, gjatë një konference për shtyp, përmes së cilës zëvendësministri ka hedhur poshtë pretendimet e Partisë Socialiste se kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në vend.
Eno Bozdo: “Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 do të jetë diku midis 3.5 dhe 5.5% dhe këtë gjë opozita e shet si krizë ekonomike dhe e vërteta është që ekonomia shqiptare nuk është krizë. Ajo nuk ka për të qenë në krizë, por ajo do të ndikohet nga kriza globale.”
Zv/ministri Bozdo njoftoi gjithashtu se qeveria po ndërhyn për të financuar interesat e kredive të ndërtimit, ndërsa kritikoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për bllokim të lejeve në sektorin e ndërtimit.
Eno Bozdo: “Qeveria angazhohet të financojë interesat e kredive të tregut të ndërtimit, ndërsa kryebashkiaku Rama pasi ka bllokuar dhe vazhdon të bllokojë lejet e ndërtimit në mënyrë ironike i bën thirrje qeverisë të kthejë sytë nga ky sektor që po vuan”.
Në këtë dalje publike, zëvendësministri i Ekonomisë foli edhe për të ardhurat tatimore dhe doganore për dy muajt e parë të këtij viti, duke thënë se ato janë realizuar në masën 100%.
Regjistrimi i bizneseve ishte një tjetër çështje e prekur nga numri i dy i dikasterit të ekonomisë, i cili tha se është shënuar një rritje e numrit të tyre në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për këtë vit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami