Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Frika e përhapjes masive të verdhëzës ekziston, pasi shumica e të infektuarve me Hepatitin A, trajtohen në mënyrë ambulatore në Laç. Familjarët janë të detyruar të shkojnë në qendrën spitalore, marrin mjekim e kurohen në shtëpi, pasi i mungon një qendër e specializuar infektive.

Sëmundja ngjitëse transmetohet tek familjarët e tjerë e s’ka mundësi izolimi. Qyteti i Laçit me 32 mijë banorë, po vuan hepatitin viral, i cili s’dihet në po kurohet dhe frenohet si fenomen. Shkaktari i kësaj situate është bërë uji i pijshëm, i cili është përzierë me atë ujërave të zeza. Rrjeti i amortizuar krijon vakum kur nuk ka ujë, e tubat thithin mbeturinat.

117 raste janë regjistruar si të prekur nga verdhëza, kryesisht të moshës 5-15 vjeç. Në këtë qendër kurimi që mban emrin spital, mungon gjithçka, duke vështirësuar shërimin e shpejtë.

Infermierja:- “Këtu vijnë bëjnë një serum me vitamina dhe ikin në shtëpi, sipas letrës së infeksionistit. Kjo është epidemi, po spitali nuk e përballon dot, se këtu ka nga 10 raste në ditë”.

Për të njohur nga afër situatën në qytetin e Laçit, ka mbërritur edhe nënkryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, së cilës i është bërë prezentë situata dhe mosinteresimi i shtetit për këtë qytet. Më pas edhe zëvendësministri i Shëndetësisë Petrit Vasili me ekipin e specializuar të Shëndetit Publik, janë interesuar rreth kësaj gjendje, por masat që duhen marrë nuk i përkasin kësaj ministrie.

Faji është i Ministrisë së Rregullim Territorit dhe Turizmit, ajo duhet të ndërhyjë me investime për ujin e pijshëm. Sipas zv/ministrit të Shëndetësisë, Hepatiti A është forma më e lehtë dhe nuk degradon më tej. Banorët e Laçit konsumojnë ujë të blerë, ose e mbushin atë gjetiu, pasi në rubineta, ai vazhdon të rrjedhë me erë të keqe e llumb./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti