Vetëm pak orë nga mbajtja e koncertit të saj në Tiranë, artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, u prit nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi sopranon shqiptare të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë.”
Veliaj tha se të gjithë dashamirësit e artistes që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj, në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.
“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho.”
E emocionuar që këndon në teatrin ku u rrit dhe u bë ajo që është sot, Ermonela shprehu mirënjohjen për vlerësimin e kryebashkiakut Veliaj.
“Faleminderit! Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje.”
Tv Klan