Avokati i Popullit denoncon dhunën që policia e Sarandës ka ushtruar ndaj shtetasit Aristidh Gllucaj nga Vlora, i cili që prej datës 6 Nëntor ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Sarandës.
Ermir Dobjani: “Avokati i Popullit i ka kërkuar verbalisht prokurorit të rrethit Sarandë fillimin e hetimit për veprën penale të torturës sipas nenit 86 të kodit penal ndaj oficerit të policisë gjyqësore Sarandë, Ardit Hasanaga dhe ka kërkuar për të hetime të shpejta, të drejta dhe objektive për të zbatuar parimin kushtetues se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Fushata e tolerancës zero në luftën kundër trafiqeve në asnjë rast nuk mund dhe nuk duhet të legjitimojë ushtrimin e torturës nga ana e policisë së shtetit shqiptar ndaj shtetasve shqiptarë.”
Përveçse e ka cilësuar si një shembull dhe një rast të paprecedent Avokati i Popullit ka shkuar më tej me rekomandime drejtuar zyrtarëve më të lartë të legjislativit, duke i cilësuar si ineficent përballë rasteve skandaloze të ushtrimit të dhunës nga ana e policisë.
Ermir Dobjani: “Deri kur do të vazhdojnë këto shfaqje oportunizmi dhe mbrojtje të policëve nga prokurorët? Po gjyqtari i Sarandës pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Po kur njëri prej tyre u këput para syve të saj pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës? Të gjithë këto janë shkelje të hapura ligji nga prokurorët dhe gjykata e Sarandës. Del në dukje pyetja e përhershme që bëjnë shtetasit shqiptarë. Pse shkelin ligjet prokurorët dhe gjyqtarët dhe pse nuk ndëshkohen ata?”/tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani