Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar. Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranës: Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë.
Artistja shqiptare falënderoi kryebashkiakun Veliaj për vlerësimin.
Ermonela Jaho: Faleminderit! Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje nga dashuria dhe mirënjohja që më ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare.
Për dashamirësit e artistes që nuk kanë gjetur bileta për në koncert, Veliaj tha se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për tu ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.
Klan News