Ish-futbollisti i Kombëtares, Ervin Skela, foli në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, pas humbjes dhe eliminimit të Shqipërisë nga Europiani.
Skela deklaroi se kuqezinjtë ishin në grup të vështirë, por u prezantuan në mënyrën më të mirë të mundshme.
Sipas tij, ekipi ka mundësinë për të bërë më shumë, ndërsa theksoi se stafi duhet të analizojë gabimet e bëra në Europian. Skela theksoi ndër të tjera, se Shqipëria duhet të jetë më ofensive dhe të besojë më shumë.
“Kishim një grup shumë të vështirë dhe u prezantuam në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi lojtarë shumë të rinj dhe me të ardhmen. Ky Europian, duhet të na shërbejë për të ardhmen, që këta djem dhe këta tifozët t’i mbështesin gjithmonë. Kemi mundësi për të bërë më shumë.
Nuk jam në brendësi të situatës, sesi ndihet Muçi nga ana fizike. Unë mendoj se janë bërë disa gabime dhe të analizohen në të ardhmen. Trajneri është pjesë e strukturës që kemi në ekipin kombëtar. Muçi ka treguar kualitet tek ekipi ku luan, ndërsa këtu nuk mund ta analizoj për aq pak minuta.
Unë do preferoja të rrezikonim më shumë nga fillimi i lojës. Me Italinë, në të gjithë atë atmosferë, shënuam 23 sekonda dhe duhet të luanim më përpara. E njëjta gjë edhe me Kroacinë. Në pjesën e parë duhet të ishim 2-0. Skuadra di të reagojë. Shpresoj që në të ardhmen të jemi më ofensivë dhe të besojmë më shumë.”, deklaroi Skela./ tvklan.al