Kombëtarja shqiptare qëndroi mbrëmjen e kaluar në Dyseldorf në prag të sfidës ndaj Spanjës. Gazetari Glend Tafaj ishte pranë ambienteve të hotelit ku po qëndrojnë futbollistët dhe raportoi më të rejat nga kombëtarja.
“Lojtarët kanë zhvilluar një rizgjim të lehtë muskulor nuk shkon më shumë se 20-25 minuta. Pra nuk është një seancë e mirëfilltë, por një rizgjim praktikë për çdo ekip që luan ndeshje në mbrëmje që muskujt të mos jenë inaktivë nga stërvitja që u bë dje. Më tej kanë një konsum dreke rreth orës 14:00. Kanë një vakt që quhet zemra në orën 17:00. Në orën 18:30 skuadra bëhet gati për t’u nisur drejt stadiumit të Dyseldorfit. Ka patur interes edhe nga mediat e huaja”, raportoi ai.
Silvinjo është hermetik sa i përket formacionit. Megjithatë raportohet për dy balotazhe, Balliu me Hysajn dhe Broja me Manajn.
Tashmë që luhen ndeshjet e fundit në grupe nisin të bëhen edhe llogaritë.
Teksa një fitore na kualifikon automatikisht, mund të kemi shanset tona edhe në rast se dalim barazim. Bëhet fjalë për vendet e treta më të mira.
Që do të thotë se sytë tona do të rrinë edhe tek rezultatet në Grupin C dhe në Grupin F./tvklan.al