Trajneri i Andrea Tedesco, drejtoi Shqipërinë U-16, për dy ndeshje miqësore ndaj Hungarisë. Tekniku italian, kishte mundësinë të shihte nga afër disa lojtarë, të cilët mund të jenë pjesë e Kombëtares U-17, për Europianin e kësaj grupmoshe, i cili do të zhvillohet në Shqipëri nga muaji Maj.

Tedesco u shpreh se ishte i lumtur që drejtoi 16-vjeçarët, ndërsa shtoi se u krijua një klimë pozitive. Ndër të tjera, tekniku kuqezi deklaroi se tani fokusi është te Kombëtarja U-17, e cila sipas tij, duhet të përmirësohet pak.

“Jemi shumë të kënaqur, për shumë motive. Fillimisht, pasi Federata prej disa javësh më ka kërkuar të trajnoj edhe ekipin U-16. Kemi qenë pak kohë bashkë, 2 ditë e gjysmë, e prej shumë djemsh kemi arritur të vendosim në fushë një skuadër. Rezultati nuk ka rëndësi, sepse sot mund të shkonte më mirë, po ashtu edhe në ndeshjen e parë. Por në futbollin e të rinjve është e rëndësishme të shihet prezantimi dhe rritja që djemtë kanë gjatë kohës që janë me ne, por edhe në një rrugëtim më të gjatë.

Jam shumë i lumtur me stafin që kam njohur së fundmi, edhe pse kemi pak javë që bashkëpunojmë, staf i ri, është krijuar menjëherë një klimë pozitive. Kjo ka rëndësi, sidomos kur punon me të rinj që duhet të rriten, të besojnë dhe të përfaqësojnë vendin. Tani mbyllim një derë e hapim një tjetër, sepse duhet të përqendrohemi në finalet e Europianit dhe te ekipi U-17, me të cilin do të grumbullohemi në mars. Duhet të provojmë të përmirësojmë pak skuadrën.

Tani që kemi një staf që në mënyrë të qetë arrin të ndërtojë bashkë aktivitetet e përditshme, dua ta falënderoj. Dua të falënderoj Federatën që më ka dhënë edhe skuadrën U-16, por sidomos për mundësinë për të marrë pjesë në Europianin U-17, për të cilën do të nisim të punojmë që nesër dhe e lëmë mënjanë U-16”, përfundoi trajneri i Kombëtares U-17.

/tvklan.al